BALLKAN, 13 Maj 2026, 22:22

Vetëvendosje: Raportet me Vjosa Osmanin u ftohën pas fjalimit të saj në Kuvend në 2024

Vetëvendosje: Raportet me Vjosa Osmanin u ftohën pas fjalimit të

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se raportet mes partisë në pushtet dhe ish-presidentes Vjosa Osmani kishin nisur të ftoheshin gjatë vitit 2024, duke përmendur deklaratën e saj në Kuvend si “goditje të hapur” ndaj Qeverisë së Albin Kurtit.

Konjufca tha se fjalimi i Osmanit në fund të vitit 2024, ku ajo kishte kritikuar Qeverinë lidhur me raportet me SHBA-në, ishte reflektim i ndarjes së rrugëve mes saj dhe LVV-së.

Ai shtoi se periudha 2022–2023 kishte qenë më e mirë sa i përket bashkëpunimit me Osmanin, por se më pas kishte ardhur momenti i “thyerjes”.

“Sa i përket deklaratës së saj në dhjetor të vitit 2024, më është dukur se Vjosa Osmani e ka bërë një ndarje. Deklarata e saj (për bixhozin) ka qenë një goditje e hapur publike ndaj Qeverisë dhe kështu me radhë. Kjo, sipas meje, ishte reflektim i vitit 2024, pasi viti 2022–2023 ka shkuar më mirë në bashkëpunim me të. Fjalimi i saj në vitin 2024 është reflektim i asaj që po them unë, se në fakt rrugët ishin ndarë. Pra, duhet të kuptohet se, sipas mendimit tim, pas kësaj që ajo ua bëri me dije qytetarëve se e kritikon Qeverinë dhe nuk është më në të njëjtin mendim me të, pas atij momenti kur kjo u bë publike, LVV-ja i fitoi dy palë zgjedhje pas këtij konstatimi”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, kryeministri Kurti ose zyrtarë të tjerë të Qeverisë mund të japin më shumë detaje për raportet me Osmanin, nëse e konsiderojnë të nevojshme për opinionin publik.

Megjithatë, Konjufca tha se jo të gjitha arsyet e ndarjes me Osmanin do të bëhen publike, duke theksuar se LVV nuk i përdor bisedat sensitive shtetërore si “armë të fushatës zgjedhore”.

Ai shtoi se LVV-ja nuk e ka parë të arsyeshme mbështetjen e një presidenteje që, sipas tij, “do ta godiste Qeverinë edhe në vazhdim”.

Konjufca deklaroi se, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje arriti rezultatin prej 51 për qind në zgjedhje edhe pas “goditjeve” që kishte marrë nga Vjosa Osmani.

Ai tha se qytetarët e kanë perceptuar ndryshimin e qëndrimit të Osmanit ndaj LVV-së si një veprim politik të lidhur me pozitën e saj.

Sipas tij, një qasje e tillë nuk përfaqëson politikë afatgjatë dhe nuk ndërtohen kështu raportet politike.