BALLKAN, 23 Mars 2026, 09:55

Tragjike/ Rëndohet bilanci i viktimave të qëlluar me armë zjarri në Podujevë, ndërron jetë edhe njëra prej të plagosurave

Tragjike/ Rëndohet bilanci i viktimave të qëlluar me armë

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur fshatin Majac të Podujevës, ku një person u gjet pa shenja jete brenda një veture, ndërsa dy gra u gjetën të plagosura rëndë në një shtëpi. Njëra prej tyre nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në QKUK, duke e çuar bilancin e viktimave në dy.

Policia ka bërë të ditur se sot rreth orës 03:35 njëra nga viktimat femra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekje e cila është konfirmuar nga mjeku kujdestar.

Me urdhër të prokurorit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është ri-cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Majac të Podujevës, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti, ndërsa dy persona të tjerë janë plagosur rëndë.

"Rreth orës 18:40 është pranuar informata se një person që ndodhej në një veturë dyshohej të ishte pa shenja jete. Njësitë relevante policore, hetimet dhe forenzika kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipet mjekësore dhe prokurorin kompetent", njofton policia, e cila ka dhënë detaje për ngjerjen tragjike.

Në vendngjarje, sipas policisë, është gjetur një veturë e tipit VW, ngjyrë e bardhë me targa vendore, në pronësi të një mashkulli kosovar nga Obiliqi. Ekipet mjekësore kanë konstatuar se personi i gjetur në automjet ishte pa shenja jete.

Gjatë veprimeve hetimore, policia ka siguruar informacione se një person i gjinisë femërore ndodhej brenda një shtëpie, i armatosur dhe pa pranuar të komunikojë, duke paraqitur rrezik për veten dhe të tjerët. Si rezultat, në vendin e ngjarjes janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim.

Pas ndërhyrjes së policisë, situata është vënë nën kontroll. Brenda shtëpisë janë gjetur dy persona të gjinisë femërore me plagë të rënda, por me shenja jete. Atyre u është ofruar ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nën mbikëqyrje mjekësore dhe policore.

Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë nga vendi i ngjarjes për procedura të mëtejme. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti janë duke vazhduar.