BALLKAN, 4 Mars 2025, 21:02

The Washington Post shkrim për Kurtin: Kryeministri i Kosovës refuzon përsëri të dëshmojë në zyrën e prokurorit për një rast korrupsioni

The Washington Post shkrim për Kurtin: Kryeministri i Kosovës refuzon

"Kryeministri i Kosovës refuzon përsëri të dëshmojë në zyrën e prokurorit për një rast korrupsioni", titullohet shkrimi i gazetës The Washington Post, i bazuar në raportimin e agjencisë Associated Press, rreth refuzimit të sotëm të Kryeministrit Albin Kurti për t’iu përgjigjur urdhrit të Gjykatës për t’u paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka refuzuar sërish të shkojë në Prokurorinë Speciale që e kishte thirrur si dëshmitar në një rast të dyshuar për korrupsion të rezervave shtetërore, nis raportimi i prestigjiozes dhe Washington Post.

Kurti, i cili u thirr për herë të parë në dhjetor dhe refuzoi, në vend të kësaj ka thënë se mund ta marrin dëshminë e tij në zyrën e tij. Ai nuk është i akuzuar në këtë rast por janë zyrtarë të tjerë. Pak detaje janë bërë publike, vijon shkrimi.

Si rëndom, kryeministri Kurti edhe sot ka sulmuar prokurorinë duke e cilësuar këtë të fundit si ‘‘të njëanshme’’ dhe ‘‘pasive’’. Kurti në akuzat e tij ndaj prokurorisë ka deklaruar se e njëjta me shumë e lufton qeverinë se sa krimin e korrupsionin.