BALLKAN, 26 Shkurt 2023, 15:46

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel/ Këshilltari i DASH, Chollet: SHBA pret përparime të dukshme nga bisedimet

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel/ Këshilltari i DASH,

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka thënë të dielën presidentit serb, Aleksandar Vuçiç se, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Përmes një bisede telefonike, Chollet i ka thënë Vuçiçit se pret që takimi i 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, të jetë konstruktiv, dhe me përparim të dukshëm drejt marrëveshjes.

Kurti dhe Vuçiç do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Chollet ka folur edhe për nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën, në kuadër të dialogut, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Chollet i ka thënë edhe Kurtit një ditë më parë se tani është koha që të diskutohet për Asociacionin.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Vuçiç është cituar t’i ketë thënë Cholletit se pret një takim shumë të vështirë, mirëpo që Serbia është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon, dhe që në këtë kontekst, ai është i gatshëm të punojë në konceptin dhe zbatimin e planit të BE-së.

Propozimi i BE-së pritet të jetë pjesë e agjendës së takimit Kurti -Vuçiç ditën e hënë, plus edhe diskutimi për marrëveshjet e arritura deri më tani.

Më 26 shkurt, tre liderët evropianë, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i kanë thënë Kurtit përmes një letre se, e kanë mirëpritur vendimin e tij për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, dhe e kanë përmendur nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj.

I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni, kanë thënë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.