BALLKAN, 16 Shkurt 2025, 21:37

Tabelat e reja në autostradën Shkup-Tetovë, zhduket gjuha shqipe

Tabelat e reja në autostradën Shkup-Tetovë, zhduket gjuha shqipe

Tashmë tabelat e reja në autostradën Shkup-Tetovë janë vendosur, por me ndryshime.Ato do të jenë në tre gjuhë, maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, teksa gjuha shqipe është hequr, ndryshe nga tabelat e kaluara.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore nuk ka dhënë sqarim se pse gjuha shqipe nuk figuron, ndërsa tabelat janë ndërruar pasditen e së shtunës gjatë orëve të vona të natës.

Kjo situatë ka sjellë reagimin e Ali Ahmetit, i cili ka dënuar heqjen e gjuhës shqipe nga tabelat rrugore.

“Tabelat në gjuhën shqipe zëvendësohen me tabelat në gjuhën maqedonase, me çfarë fshihet gjuha shqipe nga tabelat e komunikacionit. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon ashpër ndërrimin e tabelave të komunikacionit në autostradën Shkup-Tetovë, gjegjësisht në afërsi të pikëpagesës rrugore në Glumovë, nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Ky ndryshim është një goditje e rëndë ndaj përdorimit të gjuhës shqipe dhe shkelje flagrante e Ligjit për përdorimin e Gjuhëve”, thuhet në reagimin e Ali Ahmetit.