BALLKAN, 20 Nëntor 2023, 17:40

“Shteti i burrave”, gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 15% të pronave

“Shteti i burrave”, gratë në Kosovë

Gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 15 për qind të pronave, krahasuar me 74 për qind që zotërohen nga burrat. Kurse, rreth 16 për qind e numrit gjithsej të llogarive bankare të biznesit në Kosovë janë në pronësi të grave, 82 për qind janë në pronësi të burrave dhe 2 për qind janë të regjistruar në bashkëpronësi.

Kosova po del të jetë një shtet ku ende vendosin burrat. Madje as bizneset e as llogaritë bankare nuk ua besojnë grave.

Sipas një publikimi të bërë këto ditë nga Instituti GAP del se gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 15 për qind të pronave, krahasuar me 74 për qind që zotërohen nga burrat. Pjesa e mbetur e pronave prej 11 për qind është në pronësi të personave/subjekteve juridike.

“Gjetjet shpërfaqin një mungesë shqetësuese të përfaqësimit të grave si pronare biznesi në tregun financiar, duke treguar nevojën urgjente për ndërhyrje të synuara (siç janë masat afirmative) për të adresuar këto dallime”.

Raporti ka gjetur edhe se numri i llogarive bankare të biznesit që janë në pronësi të grave është i ulët.

“Rreth 16% e numrit gjithsej të llogarive bankare të biznesit në Kosovë janë në pronësi të grave, 82% janë në pronësi të burrave dhe 2% janë të regjistruar në bashkëpronësi. Bizneset në pronësi të grave në Kosovë kanë 2.4 herë më pak hua sesa ato në pronësi të burrave. Konkretisht, niveli i borxhit aktiv për bizneset në pronësi të grave është 642.6 milionë euro, ndërsa për burrat është 1.6 miliardë euro. Për më tepër, bizneset në pronësi të grave zotërojnë 14.2 herë më pak depozita se ato në pronësi të burrave, apo vetëm 111.9 milionë euro krahasuar me bizneset në pronësi të burrave që zotërojnë 1.58 miliardë euro depozita”.

Ngjashëm, thuhet se edhe tek llogaritë individuale gratë zotërojnë 2.42 herë më pak depozita sesa burrat në llogaritë e tyre individuale. Shuma e depozitave të zotëruara nga gratë në llogaritë e tyre bankare thuhet se është 829.5 milionë euro, ndërsa nga burrat është 2.01 miliardë euro.

“Në gjashtë vitet e fundit (2016-2022), Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka ndihmuar me ofrimin e garancisë për 12,653 hua, nga të cilat 1,725 (14%) janë për biznese në pronësi të grave. Shuma totale e huazuar që FKGK ka garantuar pjesërisht nga viti 2016 deri në vitin 2022 për bizneset në pronësi të grave është 63.3 milionë euro ndërsa për bizneset në pronësi të burrave është 458.9 milionë euro. Ndonëse FKGK ka kontribuuar jashtëzakonisht në edukimin financiar dhe qasjen në financa për gratë, duke ofruar garanci për kapërcimin e sfidës së kërkesave për kolateral, ende ka shumë punë që duhet bërë nga politikëbërësit”.

Bazuar në gjetjet e raportit, Instituti GAP u ka rekomanduar politikëbërësve, institucioneve financiare dhe palëve të tjera të interesuara të promovojnë edukimin financiar dhe përfshirjen për gratë duke ofruar financim të synuar dhe programe investimi, si dhe duke krijuar mundësi për mentorim dhe rrjet-formim. Kjo thuhet se mund të bëhet duke ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi për të edukuar gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara mbi të drejtat e tyre për të zotëruar tokë dhe pasuri, dhe duke shpërndarë informacion në lidhje me kornizat ligjore, të drejtat e trashëgimisë dhe proceset e regjistrimit të pronës.

Publikimi i këtij raporti është mbështetur nga USAID-i përmes Aktivitetit të Angazhimit Ekonomik Gjithëpërfshirës, në partneritet me CDF.

Gjetjet kryesore të këtij raporti:

Gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 15% të pronave, krahasuar me 74% që zotërohen nga burrat. Pjesa e mbetur e pronave prej 11% është në pronësi të personave/subjekteve juridike.

Rreth 16% e numrit gjithsej të llogarive bankare të biznesit në Kosovë janë në pronësi të grave, 82% janë në pronësi të burrave dhe 2% janë të regjistruar në bashkëpronësi.

Bizneset në pronësi të grave në Kosovë kanë 2.4 herë më pak hua sesa ato në pronësi të burrave, ku niveli i borxhit aktiv për bizneset në pronësi të grave është 642.6 milionë euro, ndërsa për burrat është 1.6 miliardë euro.

Bizneset në pronësi të grave zotërojnë vetëm 111.9 milionë euro depozita krahasuar me bizneset në pronësi të burrave që zotërojnë 1.58 miliardë euro.

Në gjashtë vitet e fundit (2016-2022), Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka ndihmuar me ofrimin e garancisë për 12,653 hua, nga të cilat 1,725 (14%) janë për biznese në pronësi të grave./Monitor