BALLKAN, 18 Nëntor 2023, 14:49

Nën akuzë për krime lufte, një i arrestuar në Kosovë

Nën akuzë për krime lufte, një i arrestuar në

Policia e Kosovës deklaroi se një person, i etnisë serbe, është arrestuar nën dyshime për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në Kosovë. Sipas njoftimit, i arrestuari është S.N, i lindur më 1964 në komunën e Vushtrrisë.

“I njëjti është ndaluar sot, më 18.11.2023, në Jarinjë, pasi dyshohet për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ të kryer gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë”, u tha në njoftim.

Prokuroria Speciale, që merret me rastet e krimeve të luftës, ende nuk ka ofruar informacione për këtë rast. Policia tha se i dyshuari pritet të merret në pyetje në prezencë të avokatit të tij mbrojtës. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës. Në vitin 2018, ky mision ka dorëzuar dokumente në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore./rel