BALLKAN, 27 Qershor 2025, 14:55

Shoqëria civile proteston sërish para Kuvendit të Kosovës: Kërkohet konstituimi i menjëhershëm

Shoqëria civile proteston sërish para Kuvendit të Kosovës:

Organizatat e shoqërisë civile kanë protestuar sërish këtë të premte përpara hyrjes kryesore të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar zhbllokimin e procesit për konstituimin e legjislaturës së re dhe zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) theksoi se nuk ka më vend për kushte apo vonesa, duke i bërë thirrje partive politike që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e kryeparlamentarit përmes një kompromisi të domosdoshëm.

“E drejta për të propozuar kandidatin i takon grupit më të madh parlamentar, por kjo nuk nënkupton bllokimin e pafund të Kuvendit,” u shpreh ai, duke shtuar se vonesat do të kenë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

Nga ana tjetër, Amir Abrashi nga organizata “Demokracia Plus” tha se kriza është politike dhe jo juridike, dhe se nevojitet vullnet për zgjidhje. Ai theksoi se Kosova nuk ka luksin të funksionojë pa institucione të konsoliduara, sidomos në një moment me zhvillime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, seanca konstituive e parashikuar për sot është ndërprerë për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shpresa është për një marrëveshje në takimin e liderëve të partive parlamentare të ftuar nga Albin Kurti, që do të mbahet të shtunën. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se mbledhja e radhës e Kuvendit do të zhvillohet të dielën në orën 11:00.