BALLKAN, 1 Shkurt 2023, 20:07

“Radio Televizioni i Kurtit”/ Aktivisti i PSD-së me pankartë në dorë ndërpret lajmet e RTK-së (VIDEO)

“Radio Televizioni i Kurtit”/ Aktivisti i PSD-së me

Gjatë transmetimit të lajmeve në Radio Televizionin Publik të Kosovës (RTK) aktivisti i PSD-së, Nol Nushi, është paraqitur para kamerave, me pankartë në dorë “Radio Televizioni i Kurtit”. Pas kësaj, prezantimi i lajmeve është ndërprerë përkohësisht.

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili ka publikuar videon në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se lajmet e televizionit publik tash e tutje janë lajmet e partisë.

“Redaksia tash është Qeveria. Policia nuk është më veç në rrugë. Ajo vjen përmes filtrave të censurës. Garanton Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, i deleguar nga Partia-Shtet”, shkroi ai.

Molliqaj ka theksuar se emërimet partiake nëpër ndërmarrje e agjenci janë bërë pjesë e përditshmërisë.

“Por, ky nuk është emërimi i radhës. Me këtë emërim pushteti na hyn nëpër shtëpi. Për të na treguar si duhet t’i kuptojmë veprimet e tij. Por, qytetarët tanë e kanë kaluar, dhe nuk do të kthehen me në kohërat e errëta ku jeton ky regjim. Liria do t’i gjejë rrugët e saj”, shkroi Molliqaj.

Veprimi ka ndodhur vetëm një ditë pasi Bordi i RTK-së, me shumicë votash zgjodhi Rilind Gërvallën drejtor të televizionit për kanalet shqip.

Gërvalla është konsideruar aktivist i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Reagime për përzgjedhjen e tij kishte pasur edhe nga opozita parlamentare.