BALLKAN, 31 Janar 2023, 18:44

Ish-drejtuesi i OSBE-së: Zelensky me njohjen e Kosovës do ta ndryshonte dinamikën në Ballkanin Perëndimor

Ish-drejtuesi i OSBE-së: Zelensky me njohjen e Kosovës do ta
Edward Joseph

Ish-zëvendëshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, ka thënë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka çelësin për të ndryshuar dinamikën në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Joseph në Komitetin për punë të jashtme në Parlamentin e Britanisë të martën ka thënë se Zelensky me njohjen e pavarësisë së Kosovës do të bënte ndryshimin. Do të linte më pas pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën që të zgjedhin mes tij dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Nëse presidenti Zelensky ngrihet e thotë se njohja e Kosovës është në interes të Ukrainës, dhe se Ukraina e njeh pavarësinë e Kosovës e sovranitetin e çdo gjë që ka çuar aty, përfshirë edhe intervenimin e NATO-s, atëherë kjo ndryshon dinamikën. E sjell Greqinë në grup, pasi vjen Greqia do të vijnë edhe shtetet e tjera. Do të krijojë një zgjedhje për shtetet mosnjohëse të Kosovës që gjenden në BE, që të rreshtohen me Zelenskyn apo me Putinin”, ka thënë Joseph.

Joseph, që është ligjërues në shkollën e Universitetit John Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS), ka thënë se propozimi evropian është më e mira që ka mundur të bëhet mes Kosovës dhe Serbisë momentalisht. Por, ai thotë se kjo nuk do të bëjë zgjidhje.

“Marrëveshja që është bërë është më e mira që rrethanat e lejojnë, ofron përmirësime bilaterale konkrete, por nuk e ndërron statusin e të qenit në getto për Kosovën apo edhe potencialisht nuk ndikon në marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë”, tha Joseph.

Joseph ka fajësuar pesë shtetet e BE-së, Greqinë, Qipron, Sllovakinë, Rumaninë e Spanjën, që nuk e njohin Kosovën, se me këtë riafirmojnë pozitën e Serbisë dhe çdo gjë që shkon me këtë.

“Në mënyrë direkte, këto shtete mosnjohëse i japin Beogradit levën për të goditur sovranitetin dhe funksionalitetin e tri prej katër shteteve fqinje, në të cilën serbët jetojnë në numër të konsiderueshëm – pra në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë e Mal të Zi”, tha Joseph.

Joseph ka thënë se vetëm në Kroaci, Beogradi nuk kontrollon apo ndikon serbët atje, e se serbët atje sillen si qytetarë e jo si separatistë.

Joseph ka thënë se arritja e marrëveshjes sipas propozimit franko-gjerman ka shumë benefite për Kosovën, do të vë si Kosovën ashtu edhe Serbinë në pozita të njëjta fqinjësore, por ndërkombëtarisht Kosova do të mbetet në geto.

Joseph ka shtuar se sipas marrëveshjes, Serbia duhet të heqë dorë nga tentimet për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Por, Joseph thotë se Serbia nuk e kontrollon anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian, por janë pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.

Joseph ka deklaruar se Serbia mund të heqë dorë nga bllokimi, por ajo do të bëhet më e varur nga Moska, Pekini apo edhe Irani, në aspektin e politikës së jashtme, për çështjen e bllokimit të Kosovës.

“Përderisa Kosova bllokohet nga NATO dhe BE-ja kjo marrëdhënie vazhdon”, tha Joseph.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Joseph ka thënë se kjo duhet të jetë çështje e statusit final.

“Autonomi në çfarëdo forme, qoftë edhe beninje, është çështje e statusit final, veçanërisht në një komunitet serb me motivim separatist. Kjo është mënyra se si serbët e Kroacisë e kanë marrë këtë Asociacion, së pari janë detyruar të pranojnë ligjet kroate. Merr autonomi, atëherë kur pranon sovranitetin e shtetit në të cilin do të ushtrohet kjo, është shumë e qartë. Problemi është se ky Asociacion është obligim i një marrëveshje të mëhershme e jo i marrëveshjes së fundit dhe jep shumë kohë për incidente dhe mundësi Serbisë për të mos nënshkruar. Kosova do të heqë dorë nga leva që ka me formimin e Asociacionit”, ka thënë Joseph.

Joseph ka thënë se që nga pushtimi rus i Ukrainës, gjithë bota ka ndryshuar, por jo edhe Ballkani dhe kjo për shkak të Serbisë, që s’po ndryshon dhe ka ambiciet e njëjta.

Joseph ka thënë se stagnimi në Ballkanin Perëndimor i konvenon Serbisë e Rusisë.

“Ata nuk duan luftë tjetër, por ju mjafton stagnimi”, ka thënë Joseph.

Joseph ka ripërsëritur se kyçe për gjithë çështjen është njohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur, por edhe më vendimtare është njohja nga Ukraina.

Kështu që Joseph ka shtuar se çfarë mund të bëjë Perëndimi në këtë aspekt është të ndikojë në Athinë dhe Kiev për njohjen e Kosovës.

Joseph: Themeluam një gjykatë në Hagë që shkon vetëm pas shqiptarëve

Jospeh ndërkohë në vlerësimin që ka bërë ish-diplomati britanik Anthony Monckton, se “serbët e kanë të ngulitur thellë në kujtime bombardimin e NATO-s dhe se nuk duhet harruar këto” ka thënë se Perëndimi menjëherë pas vitit 1999 i ka qëndruar në krah Serbisë.

“Ndalëm një kryengritje shqiptare në Luginën e Preshevës. Krijuam një Gjykatë të veçantë, në Hagë, që ndjek vetëm shqiptarët, pra krimet e bëra nga shqiptarët, e jo ato të Serbisë. E kemi detyruar në vitin 2020, presidentin e një Republike, Hashim Thaçin, të japë dorëheqje e të shkojë në Hagë, ku në Hagë, derisa po flasim këtu, ai është duke iu përgjigjur akuzave për krime të shkaktuar ndaj serbëve. E kemi edhe Joe Bidenin këtu, i cili zi zëvendëspresident i SHBA-së shkoi në Beograd, jo për të kërkuar falje për veprimet e NATO-s, por ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura. Është dëshmuar se kjo nuk ka të bëjë me ‘Shqipërinë e Madhe’, nuk ka të bëjë me ndëshkimin e serbëve, por kishte të bënte me një ngritje ndaj një agresioni”, tha Joseph.