BALLKAN, 11 Janar 2024, 18:52

Prokuroria në Beograd: Nuk ka dëshmi për keqtrajtimin e Sandulloviçit

Prokuroria në Beograd: Nuk ka dëshmi për keqtrajtimin e

Zyra e Prokurorisë Themelore në Beograd tha se me dëshmitë e mbledhura deri më tani nuk ka tregues dhe prova bindëse dhe të qarta se opozitari serb, Nikolla Sandulloviç, është keqtrajtuar.

Zyra e Prokurorit tha se për shkak të informacioneve të publikuara në media të caktuara lidhur me keqtrajtimin e supozuar të Sandulloviçit më 3 janar nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), ky institucion nisi mbledhjen e provave.

“Veç tjerash, nga informacionet e Akademisë Mjekësore Ushtarake – të Klinikës së Neurologjisë, që janë të 4 janarit, shihet qartë se [mjekët] nuk kanë konstatuar lëndime fizike”, u tha në njoftim.

Një ditë më herët, BIA hodhi poshtë pretendimet se udhëheqësi i subjektit opozitar, Nikolla Sandulloviç, ishte subjekt i torturës, duke thënë se nuk ka pasur përdorim të forcës së paligjshme fizike ndaj tij.

Më herët, Zyra e Prokurorit në Nish konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Sandulloviç ndodhet në paraburgim që nga java e kaluar, nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.