BALLKAN, 24 Mars 2023, 13:49

"Populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme"/ Reagime në Kosovë ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në 24-vjetorin e sulmeve të NATO-s

"Populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të
Kris Hill, Donjeta Miftari dhe avioni i NATO-s 24 vite më parë

Deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill për luftërat e viteve ’90-ta dhe sulmet e NATO-s ndaj caqeve serbe ka ngjallur reagimin e zyrtarëve të shtetit të Kosovës.

Hill duke kujtuar atë periudhë theksoi se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, gjersa duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe ka thënë se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme.

E pas kësaj deklarate ka reaguar Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani e cila në një postim në Twitter ka shkruar se duket që ambasadori Hill ka vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.

Ajo më tej thekson se në fakt Serbia nuk duhet ta harrojë atë periudhë pasi sulmet ndodhën si përgjigje ndaj veprimet të një regjimi brutal dhe gjenocidal.

“Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, tha ajo.

Më tej këshilltarja Miftari në profilin e saj në Twitter ka paraqitur edhe fjalimin e ish presidentit amerikan, Bill Clinton i cili i ishte drejtuar qytetarëve amerikan për sulmet e NATO-s ndaj caqeve të Serbisë dhe arsyeve pse duhet të ndërhyjnë.

Ai në paraqitjen për qytetarët amerikan në atë kohë tregonte për krimet që bëheshin ndaj qytetarëve të Kosovë nga regjimi i Millosheviqit.

Hill në një postim në Twitter duke kujtuar atë periudhë tha sot se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, gjersa duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe ka thënë se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë.

“Unë ia kam kushtuar jetën diplomacisë – gjetjes së zgjidhjeve diplomatike për problemet në dukje të pazgjidhshme. Gjatë karrierës sime, kam mësuar se ndonjëherë diplomacia dështon. Kur ndodh, rezultatet mund të jenë tragjike.

Unë shpreh ngushëllimet e mia personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë”, shkroi ambasadori Hill.

Ai më tej shprehet se populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por thotë se beson që  është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij.

“Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për partneritetin tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë.

Së bashku, ne mund të ndërtojmë të ardhmen më të mirë që populli serb meriton dhe dëshiron për brezat e ardhshëm”, shkroi ambasadori Hill.

Sot janë bërë 24 vjet prej sulmeve të para të NATO-s ndaj caqeve të Serbisë, pas krimeve të pushtetit serb në Kosovë.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i Sllobodan Millosheviqit dhe më 11 qershor 1999 forcat e Serbisë lëshojnë territorin e Kosovës.