BALLKAN, 22 Mars 2023, 18:13

Marrëveshja sipas Enver Hasanit: Ohri lëkundi shtyllat e shtetit, modeli i Tirolit jugor po vjen në Kosovë

Marrëveshja sipas Enver Hasanit: Ohri lëkundi shtyllat e shtetit,

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani në emisionin Pressing në T7 ka analizuar në detaje përmbajtjen e marrëveshjes së arritur në Ohër në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ka theksuar aspektet problematike të saj që Hasani thotë se i kanë lëkundur shtyllat kryesore të shtetësisë së Kosovës.

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare ka potencuar se mbi 90% e materies së marrëveshjes themelore do të duhej të ishin norma kushtetuese. Sipas tij, kjo nënkupton që Kosova është futur në një proces që do ta cenojë  Kushtetutën e cenueshme.

“Është marrëveshje bazë që rregullon materien tërësisht kushtetuese dhe definon origjinën, organizimin dhe funksionimin e autoritetit publik sa i përket komunitetit serb dhe raportin e këtij atuoriteti publik me këta qytetarë serbë që janë shtetas të Kosovës. Bëhet fjalë për materie ose marrëdhënie shoqërore të autoritetit publik të cilat mbi 90 % i takojnë Kushtetutës që ish dashtë me qenë norma kushtetuese. Ky fakt e bën që Kosova përfundimisht është fut në një proces që do ta bëj të prekshme Kushtetutën materiale që ka nisur të krijohet në mënyrë graduale gjatë procesit të dialogut. Tash e bën të prekshme sepse kjo marrëveshje i ka lëvizur shtyllat bazike të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Hasani në Pressing.

Përveç kësaj, Hasani thotë e marrëveshja e arritur në Ohër e legjitimon krijimin e autonomisë territoriale në Kosovë, meqë legalizon të gjitha marrëveshjet e arritura deri më 18 mars. Kjo sipas Hasani e prish karakterin unitar të shtetit.

“Kjo marrëveshje i legalizon të gjitha marrëveshjet që janë bërë deri atë ditë. I jep legjitimtet tërësisht evropian formimit të autonomisë territoriale në Kosovë. E cila gjithashtu është materie Kushtetuese sepse e prish shtetësinë, shtyllën tjetër që është karakteri unitar i shtetit dhe e shndërron Kosovën me akte jo-kushtetuese. Akte që kanë natyre të marrëveshjeve ndërkombëtare që në rendin tonë Kushtetues kur ratifikohen e kanë fuqinë më të madhe se ligji dhe më të ulët se Kushtetuta”, ka sqaruar ish-kreu i Kushtetueses.

Në vazhdim Hasani ka folur edhe për aspektin e formalizimit. Ai thotë se kjo nënkupton që një gjendjeje ekzistuese i jep koperturë kushtetuese. Kur e ka thënë këtë ka përmendur çështjen e Kishës Serbe. Hasani thotë se shtetet tjera kanë bërë marrëveshje bilaterale me Serbinë për të rregulluar pozitën juridike të Kishës Serbe.

Për krijimin e autonomisë territoriale, Hasani thotë se një e tillë është fakt i kryer, meqë në marrëveshjen e Ohirt specifikohet që palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe detyrimin e Kosovës të vitit 2013 për Asociacionin por Hasani thotë se tashmë këtu s’përfshihet fare interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.

Hasani thotë se do të bëhet përpjekje që të implementohet modeli i Tirolit Jugor (provincë autonome në Itali), sa i përket Asociacionit dhe pozitës së serbëve Kjo thotë se vërehet edhe nga vizitat e shpeshta të italianëve në Kosovë.

Sipas ish-kreut të Kushtetueses, Serbia ka fituar shumë më shumë se sa Kosova dhe shton se s’ka ndodhur as njohja “de facto”, meqë një gjë e tillë kundërshtohet edhe nga Serbia dhe nga përfaqësuesit e BE-së.

Përveç kësaj, Hasani thotë përmes kësaj marrëveshje Kosova i është afruar Serbisë.

“A  e shtrijtëm ne sovranitetin me norma. A shkoj rregullativa e Kosovës në veri dhe në vende tjera, apo erdhën të Serbisë këndej. A ju afruam nga Serbisë, a Serbia neve”, ka potencuar Enver Hasani.

Në këtë intervistë, Hasani ka thënë se janë katër gjëra të cilat e dallojnë marrëveshjen e arritur në Ohër me marrëveshjet e mëparshme. Ai thotë se kjo marrëveshje e lë të hapur mundësinë për të diskutuar çështjen e statusit të Kosovës dhe se gjithashtu i ka dhënë vulë zbatimit të marrëveshjeve edhe që s’janë zbatuar në të kaluarën dhe gjithashtu do të rezultojë me autonomi territoriale për komunitetin serb.

“E para, e ka lënë çështjen e statusit, potencialisht bisedë që mund të rihapet në të ardhmen, me u rihap edhe mos me e pasë problem me shtetin serb dhe me ata që e ndërmjetësojnë. E dyta, i ka dhënë vulë, legalizim përfundimtar, të një niveli tjetër evropian, sepse është raportu, ka dalë ne ueb-faqe për të legalizuar këtë dhe marrëveshjet tjera që mund të mos jenë zbatuar apo nëse janë zbatuar gabim. E treta, është definitivisht, bëhet fjalë për komunitetin serb me autonomi territoriale. E katërta, është formalizimi i pozitës së Kishës, që nënkupton mos me e prek dhe me qenë me status”, ka thënë Hasani

Ai thotë se nuk mund të thotë se a janë të mira këto apo të këqija dhe se koha do të tregojë.

Sipas ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Serbia asnjëherë s’do të rresht së përpjekuri për të defunksionalizaur shtetin e Kosovës dhe sipas tij duhet marrë garanci me shkrim që autonomia s’është mjet për arritjen e qëllimeve të tjera politike.

“Me e diskutu me miqtë, me kërku garnaci që Asociacioni s’është mjet për arritjen e qëllimeve të tjera politike”, ka potencuar tutje Enver Hasani

Tutje Hasani thotë se kjo marrëveshje më s’mund të anulohet  pasi që puna ka përfunduar kur palët janë marrë vesh brenda sallës në Ohër dhe nëse do të bënte Kosova një lëvizje të tillë tashmë, do të bëhej palë obstruksioniste.

Ai shton se do të duhej të lihej një rezervë, kur diskutohet çështje që ndërlidhen me Kushtetutën. Sipas tij, fakti që s’ka nënshkrim nuk nënkupton asgjë.