BALLKAN, 2 Gusht 2025, 09:17

Përplasje e fortë në Mal të Zi/ Presidenti Milatoviq akuzon zv/kryeministrin për kërcënime: "Të shkarkohet!". Gjeloshaj: Gënjeshtra të rënda, kam ruajtur të gjithë komunikimin!

Përplasje e fortë në Mal të Zi/ Presidenti Milatoviq akuzon

Një krizë e re institucionale ka shpërthyer në Mal të Zi pas përplasjes së ashpër mes presidentit Jakov Milatoviq dhe zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj, i cili njëherësh mban edhe postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik.

Shkak për tensionin është kthimi nga presidenti i Ligjit për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme për rishqyrtim në Kuvend. Kabineti i Milatoviqit pretendon se ky veprim ka sjellë reagime kërcënuese nga ana e Gjeloshajt, për të cilat tashmë është njoftuar Drejtoria e Policisë dhe institucionet kompetente.

“Presim që institucionet të veprojnë menjëherë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi. I kërkojmë kryeministrit që pa vonesë ta shkarkojë zëvendëskryeministrin. Çdo minutë heshtjeje është një mesazh se kërcënimet ndaj presidentit janë të lejuara”, thuhet në reagimin zyrtar të presidencës, që e cilëson rastin si çështje të lirisë dhe sigurisë së institucioneve shtetërore.

Sipas presidencës, motivi lidhet me proceset gjyqësore shumëvjeçare mes Komunës së Tuzit dhe kompanisë “13 jul Plantaže” për tatime të llogaritura në mënyrë të paligjshme. Në këtë çështje, Gjeloshaj – në atë kohë kryetar i Tuzit – përmendet si përgjegjës, ndërsa kompania ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.

Nga ana tjetër, Gjeloshaj i ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur “gënjeshtra të rënda” dhe ka theksuar se asnjëherë nuk ka kërcënuar presidentin. Ai ka deklaruar se ka ruajtur të gjithë komunikimin me Milatoviqin, të cilin e konsideron provë të qartë që hedh poshtë versionin e presidencës.

“Me indinjatë të thellë e hedh poshtë këtë deklaratë të pavërtetë. Është një shpifje e madhe që unë e kam kërcënuar presidentin. Mesazhet e komunikimit mes nesh flasin vetë”, tha Gjeloshaj.

Përplasja ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike të Malit të Zi, duke hapur një debat të ri mbi marrëdhëniet mes pushteteve dhe stabilitetin e qeverisë.