TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të zhvillojë seancën për të diskutuar qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në mungesë të deputetëve dhe dakordimit mes partive. Seanca është shtyrë, por nuk është bërë e ditur data e re.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AA) Besnik Tahiri, ka thënë se seanca është kërkuar për të zhvilluar “një ballafaqim të vërtetë” mes opozitës dhe kryeministrit. Vetë Kurti ka qenë i pranishëm në seancë.
“Grupi parlamentar i AAK-së, tash e tre muaj e ka dërguar në kryesi një kërkesë për një debat për tre vjetët e Qeverisë. Në diskutim me grupet parlamentare dhe në mungesë të deputetëve për një temë kaq të rëndësishme, një ballafaqim i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit nuk do të duhej të ndodhte pa një dakordim të plotë. Andaj po e shtyjmë këtë debat”, ka thënë ai.
Qeveria e Kurtit, e cila është betuar në mars të vitit 2021, ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes. Mandati i saj përfundon në fillim të vitit të ardhshëm. Thirrja e kësaj seance është bërë teksa po zhvillohen bisedime për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Vetë Kurti ka thënë se është i interesuar për të diskutuar për datën e re të zgjedhjeve. Megjithatë, krerët e partive opozitare kanë opsione të ndryshme për mënyrën se si duhet të shkohet drejt zgjedhjeve të reja.