BALLKAN, 16 Shkurt 2024, 21:37

INTERPOL-i lëshon urdhërarrest për autorët e sulmit terrorist në Banjskë, Sveçla: Hap i rëndësishëm

INTERPOL-i lëshon urdhërarrest për autorët e sulmit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se INTEROPL-i tashmë ka lëshuar urdhërarrest për personat e dyshuar që morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Sveçla ka thënë se mirëpret njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL-it se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhërarrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë se llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme.

“Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjashme terroriste”, ka shkruar Sveçla.

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, INTERPOL-i pati lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për terroristin Milan Radoiçiq, i cili pati deklaruar se e kishte udhëhequr sulmin terrorist të 24 shtatorit.