BALLKAN, 16 Shkurt 2024, 12:38

Historike në Greqi, miratohen martesat mes personave të së njëjtës gjini

Historike në Greqi, miratohen martesat mes personave të së

Greqia është bërë vendi i parë me shumicë ortodokse të krishtere, që legalizon martesën mes personave të së njëjtës gjini. 

Çifteve të së njëjtës gjini tani do t'u lejohet ligjërisht të adoptojnë fëmijë pas votimit të së enjtes me 176-76 vota në parlament. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se ligji i ri do të "shkrije me guxim një pabarazi të rëndë".

Por ky ligj historik e ka ndarë vendin, me rezistencë të fortë të udhëhequr nga Kisha Ortodokse. 

Mbështetësit e saj organizuan një protestë në Athinë. Ata mbanin në duar kryqe, lexuan lutje dhe kënduan fragmente nga Bibla në Sheshin Syntagma të kryeqytetit. Kreu i Kishës Ortodokse, Arkibishopi Ieronymos, tha se masa do të "korruptojë kohezionin shoqëror të vendit". 

"Njerëzit që kanë qenë të padukshëm do të bëhen përfundimisht të dukshëm përreth nesh, dhe me ta, shumë fëmijë do të gjejnë përfundimisht vendin e tyre," tha kryeministri para parlamentit gjatë një debati para votimit.

"Reforma i bën jetët e disa qytetarëve tanë më të mira, pa marrë asgjë nga jetët e shumicës."

Ligji është mirëpritur nga organizatat LGBTQ në Greqi.

"Ky është një moment historik," tha Stella Belia, kryetarja e grupit të prindërve të të njëjtës gjini, Rainbow Families, për agjencinë e lajmeve Reuters. "Kjo është një ditë gëzimi."

Pesëmbëdhjetë nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian tashmë kanë legalizuar martesën mes personave të së njëjtës gjini. 

Greqia deri më tani kishte mbetur pas disa nga fqinjëve të saj evropianë, kryesisht për shkak të kundërshtisë nga Kisha. Tashmë është vendi i parë në Evropën juglindore që ka barazinë në martesë.