BALLKAN, 23 Tetor 2023, 11:01

Eurodeputeti: Serbia do të përballet me akte më të rrepta nga BE nëse refuzon ekstradimin e Radojiçiçit

Eurodeputeti: Serbia do të përballet me akte më të rrepta

Tonino Picula nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), ka thënë se refuzimi i Serbisë për të ekstraduar përgjegjësin e sulmit në Banjskë, mund të komplikojë edhe më tej marrëdhëniet e saj me Kosovën.

Gjithashtu eurodeputeti kroat është shprehur se BE mund të marrë akte më të rrepta ndaj Serbisë, nëse refuzon ta ekstradojë Milan Radojiçiçin.

“Nëse Milan Radoiçiç nuk ekstradohet në Prishtinë, kjo do të komplikojë marrëdhëniet tashmë të vështira ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe reagimet e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare mund të rezultojnë në veprime edhe më të rrepta politike dhe diplomatike ndaj Serbisë”, ka thënë Picula në një invtervistë për median serbe Nova.

Kujtojmë se në Parlamentin Evropian është miratuar një rezolutë javën e kaluar (19 tetor), në të cilën kërkohen sanksione për qeverinë e Serbisë nëse kundërshtohet se ata kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

“Në rezolutën e miratuar nga PE-ja, masat kufizuese duhet të përfshijnë, por jo vetëm, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit ndaj aktorëve destabilizues në veri të Kosovës, sikurse Radojiçiçi, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të përmendur terrorist”, ka theksuar Picula, i cili kishte përpiluar tekstin e Rezolutës së miratuar nga PE.

Sa i përket bashkëpunimit të Serbisë në këtë drejtim, eurodeputeti ka nënvizuar se është e vështirë të konfirmohet me siguri absolute përfshirja e palës serbe në zgjidhjen e konflikteve.