BALLKAN, 30 Maj 2023, 10:39

Kreu i EULEX: Dhuna në veri të Kosovës nuk është zgjidhje

Kreu i EULEX: Dhuna në veri të Kosovës nuk është

Tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës kanë shqetësuar jo pak shtetet perëndimore, të cilat kanë bërë thirrje njëzëri për vetëpërmbajtje dhe dialog. Një ditë më parë, 30 ushtarë të KFOR-it u plagosën nga përplasja me protestuesit nga radhët e serbëve lokalë.

Shefi i EULEX në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, në një intervistë për ABC News tha se aktet e dhunës nuk janë zgjidhje, ndërsa shtoi se sundimi i ligjit është çështje shumë thelbësore.

“Pamë të njëjtën situatë këtë pasdite. Është e papranueshme, e pajustifikueshme dhe dhuna nuk është kurrë zgjidhje. Kjo është arsyeja pse ne i kemi paralajmëruar të gjithë që prej të premtes, në përpjekje për të ulur tensionet, jo për ti ndezur dhe për t’i shtuar ato. E kemi bërë shumë të qartë, ne mbështesim sigurinë, stabilitetin këtu në Kosovë, së bashku me partnerët tanë të sigurisë që është policia e Kosovës dhe KFOR-in, por gjithashtu po punojmë gjerësisht siç e dini, me institucionet e drejtësisë dhe është thelbësore sundimi i ligjit.”, tha ai.

Ai theksoi se nëse serbët kanë probleme me zgjedhjen e kryetarëve të rinj të katër komunave në veri, atëherë duhen gjetur forma tjera demokratike për t’u shprehur, dhe jo me akte dhune. Këto veprime agresive shtoi Lars-Gunnar Wigemark nuk i shërbejnë asnjërës palë.

Shefi i EULEX tha se do të jenë të gatshëm të ndihmojnë Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme.

“Po ashtu është thelbësore që të sigurohet dhe zgjidhja me kornizën e duhur ligjore. Nëse kanë problem me zgjedhjen e kryetarëve të rinj të komunave, atëherë duhet gjetur forma për t’u shprehur, por pa përdorur dhunën. Pra të gjitha palët duhet të tregohen të qetë, sidomos tani, kur sot pamë sërish përshkallëzim të situatës dhe për fat të keq pamë dhe disa të plagosur dhe kjo është shumë serioze. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë policinë e Kosovës dhe KFOR, nëse do të jetë e nevojshme”, shtoi ai.