TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri i ri bullgar, Kirill Petkov, në një intervistë për TV Blumberg premtoi se do t’i japë fund ngërçit diplomatik rreth negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Sipas medias financiare amerikane, Bullgaria ka bllokuar bisedimet e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në bllokun 27-anëtarësh për pretendime historike dhe gjuhësore, teksa pohon gjithashtu se të drejtat e shtetasve bullgarë në vend po shkelen.
Kiril Petkov, 41-vjeçari i diplomuar në Shkollën e Biznesit të Harvardit, i zgjedhur vitin e kaluar për të luftuar korrupsionin në Bullgari, tha se ai dëshiron ta zhvendosë debatin nga mosmarrëveshjet historike për t’u fokusuar në infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik.
“Duhet t’i vendosim të gjitha diskutimet për të gjitha situatat ëin-ëin mes dy vendeve. Nëse të dyja palët fillojnë të flasin për anët e mira, gatishmëria për të arritur një marrëveshje për çështje të rëndësishme do të jetë më e lehtë,” tha Petkov.
Maqedonia e Veriut, Republikë prej 2 milionë banorëve pa dalje në det, thekson Blumberg, është përballur me rezistencën rajonale në rrugën e saj drejt integrimit perëndimor. Për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2020, vendit iu desh të ndryshonte emrin për ta zgjidhur kontestin me Greqinë, e cila e ka akuzuar për pretendime territoriale ndaj rajonit të saj Maqedonisë. Tani, theksohet më tej, ajo përballet me presionin nga Bullgaria, ku çështja ka marrë mbështetje nga opinioni. Më shumë se 70 për qind e bullgarëve thonë se Maqedonia e Veriut duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet e saj përpara se të avancohet në BE.
Petkov tha se grupet e punës do të takohen “në një orar të ngjeshur” për të arritur përparim mbi çështjen gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, duke ofruar një bazë për Bullgarinë që të rishikojë pozicionin e saj. Për të lehtësuar një ndryshim, ai tha se do të shtyjë për një mekanizëm në mbarë Evropën që mbron nga trajtimi diskriminues ndaj grupeve sipas kombësisë.
“Kam një vullnet të fortë dhe besoj se interesi i të dy vendeve është që Maqedonia e veriut të vijojë në rrugën drejt BE-së. Pra, sa më shpejt të përparojmë në këto hapa, aq më shpejt mund të arrijmë me afate më specifike”, tha Petkov.