TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të dielën se është i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë, ndërsa paralajmëroi vendosjen reciprocitet të plotë nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë.
Ai i bëri këto komente gjatë punimeve të Këshillit të Përgjithshëm të lëvizjes Vetëvendosje, një ditë pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.
Me këtë marrëveshje, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse – dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia.
“Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit. Serbia nuk e njeh dhe lufton pavarësinë tonë andaj edhe marrëdhëniet tona nuk janë normale dhe për shkak që marrëdhëniet tona nuk janë normale, ne jemi në një proces normalizimi. Ne dëshirojmë që të ketë normalizim dhe këtë ta bëjmë përmes një marrëveshjeje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se në mungesë të marrëveshjes do të ketë reciprocitet të plotë i cili do të vendoset shkallë – shkallë.
“Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin të cilin e kemi shpallur njëjtë siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor”, tha ai.
Marrëveshja e një dite më parë që u mirëprit gjerësisht nga diplomacia perëndimore, pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që të zbatojë masat e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
Nga një shtatori pritet të nisë afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serb që përdorin akronimet e qyteteve të Kosovës të kohës së Jugosllavisë. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS.
Vendimi kundërshtohet nga Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se Serbia arriti më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Prishtinën për dokumentet e identifikimit, ndërsa duke komentuar paralajmërimet e kryeministrit Kurti lidhur me targat e makinave tha se “ai dëshiron konflikte dhe probleme të vazhdueshme”.
Kryeministri Albin Kurti tha se vendimet e qeverisë janë shprehje e ushtrimit të sovranitetit.
“Unë jam i angazhuar dhe përkushtuar që në mënyrë aktive e kreative në bashkëpunim e koordinim me aleatët tanë sidomos me SHBA-të dhe BE-në ta arrijmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme me njohjen e ndërsjellë në qendër marrëveshje kjo që sjellë paqen e qëndrueshme, qëndrueshmërinë dhe i kontribuon sigurisë ballkanike”, tha ai.
Ai u bëri ftesë partive politike opozitare për një takim siç tha informues dhe bashkërendues për procesin e bisedimeve, në një kohë kur Kosova tashmë pritet të përballet edhe me trysninë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe.
Beogradi ngulë këmbë që kjo marrëveshje të shtrohet në bisedimet e radhës ndërsa faktorët ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje qeverisë që të dal me ndonjë propozim për themelimin e Asociacionit.
Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë, para se të shqyrtohet përfshirja e saj në bllokun evropian./VOA