AKTUALITET, 18 August 2026, 20:15

Arrestohet i dyshuari për zjarrvënie në Mirditë, Lamallari: Hetim i plotë dhe përgjegjësi penale

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari reagoi sot pas arrestimit të një banori të fshatit Gziq të Rrëshenit për zjarrvënie të qëllimshme duke theksuar se Prouroria duhet të kryejë hetim të plotë.

Në një postim në rrjetet sociale Lamallari tha se “zjarret nuk janë “fatkeqësi”. Kur janë të qëllimshme, janë krim i cili është i destinuar të përsëritet nëse shkon pa ndëshkuar me gjithë forcën e ligjit dhe drejtësisë”.

“Pamjet janë të qarta: Policia ka arrestuar në flagrancë ditën e sotme një autor të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, pasi dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri në Mirditë. Një piroman, banues në fshatin Gziq të Rrëshenit, qartësisht i vë zjarrin 3 vatrave të zjarrit në fshatin e tij duke djegur një sipërfaqe pyjore prej 400m², e cila fatmirësisht u vu nën kontroll nga shërbimet policore të Mirditës, të cilat ishin në ndjekje në terren prej tri ditësh”, theksoi Lamallari.

Ky shtetas dyshohet si autor i disa zjarrvënieve të tjera në territorin e bashkisë Mirditë, ndërsa vatra të tjera u parandaluan nga arrestimi i tij në flagrancë nga Policia e Shtetit.

“Tani është radha e drejtësisë. Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet ashtu siç dhe vetë autori e ka pranuar në momentin e arrestimit të tij. Asnjë autor i zjarrvënieve të qëllimshme nuk duhet të llogarisë se do t’ia hedhë paq. Jo në Mirditë. Jo në Krujë. Jo në Lurë, Dibër. Jo askund në Shqipëri”, tha Lamallari.

Sipas tij, Policia ka referuar disa raste dhe do të vijojë të bëjë detyrën e saj për të identifikuar dhe arrestuar autorët.

“Prokuroria dhe gjykatat duhet të bëjnë të tyren: të sigurojnë që krimi të mos mbetet pa ndëshkim. Zjarri i qëllimshëm është krim me autor. Mosreagimi në kohë dhe me gjithë forcën dhe mekanizmat e ligjit është ‘fatkeqësia’ e vërtetë”, tha Lamallari.