LIFESTYLE, 30 Janar 2018, 21:01

Aplikacioni që ju paguan për të ecur

Aplikacioni që ju paguan për të ecur

Të fitosh para duke ecur? Tani është e mundur. Dhe kjo nuk është një nga ato reklamat që jemi mësuar të shohim gjithnjë. Ky mund të jetë slogani i një aplikacioni, për momentin i disponueshëm vetëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara i cili shumë shpejt do të vijë dhe në Europë.

Funksioni është i thjeshtë: për çdo 1000 hapa (të cilat maten me GPS) fitohet një “sweatcoin” (për të qenë të saktë më pak se një njësi, 0,95) në një dyqan virtual që lidhet me një platformë ku mund të gjesh thuajse gjithçka (këpucë për vrap, libra, pajisje hi-tech si smartphone e televizorë etj). Pak a shumë me 15 sweatcoin mund të blini të mira materiale për një vlerë prej 25 dollarësh, por natyrisht që të siguroni më shumë çmime duhet të ecni më shumë.

Për të blerë pajisjet më të shtrenjta natyrisht duhen mijëra sweatcoin. Nuk vlejnë aktivitetet në ambient të mbyllur (pra ecja në palestër) por vetëm hapat në ajër të pastër.

Prej disa javësh në krye të App Store amerikan dhe britanik, aplikacioni me bazë në Londër – ka siguruar tashmë 6 milionë dollarë financim – dhe pavarësisht disa kritikave, numri i përdoruesve të tij ka arritur rreth 5 milionë.

Të flasësh për shpërblime në kriptovalutë megjithatë është jokorrekte: Sweatcoin nuk bazohet në teknologji blockchain, sweatcoin nuk janë të konvertueshme në valuta të tjera dhe është e pamundur të “dalësh” nga kufijtë e aplikacionit. Bëhet fjalë, të paktën për momentin, për një ekosistem të mbyllur që synon të shpërblejë përdoruesit falë pikëve të fituara me lëvizje.

Monitor