AKTUALITET, 24 Prill 2020, 12:07

Albana Vokshi denoncon një tjetër tender sekret: Respiratorët u blenë me dyfishin e çmimit të tregut


Ish deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denocnuar sot një tjetër koncension të kryer nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë periudhës së pandemisë. Në një deklaratë për mediat, Vokshi ka publikuar dhe një dokument, dhe tha se është bërë një tjetër vjedhje me tender sekret. Sipas saj Respiratorët e oksigjenit u blenë me dyfishin e çmimit të tregut.

“Kompania fituese shkeli kontratën, solli 5 respiratorë në vend të 54, por qeveria nuk mori asnjë masë. Në 6 vjet e njëjta kompani ka marrë 11 milionë euro nga qeveria Rama”, u shreh ish-deputetja. Më tej demokratja i ka bërë një thirrje dhe Prokurorisë, ku kërkon të hetojë këtë tender, që sipas saj është vjedhjen me kontrata sekrete e hajdutët e qeverisë duhet të shkojnë para drejtësisë.

DEKLARATA E PLOTË

Kontratat sekrete për pajisjet spitalore antiCOVID janë përdorur nga qeveria si një mënyrë për të vjedhur shqiptarët dhe jo për të siguruar shëndetin e tyre. Nga 4 kontratat që mbahen të fshehta, ne kemi zbuluar vjedhje skandaloze në 3 prej tyre, për testimet, për maskat e mjete të tjera mbrojtëse dhe sot do të publikojmë faktet për vjedhjen me respiratorët dhe fituesin e paracaktuar dhe të preferuar të qeverisë. Kemi provuar se kitet për një testim janë blerë nga qeveria me 4 fishin e çmimit të tregut tek O.E.S. Distribution, por ministja e shëndetësisë dhe shefi i saj Edi Rama heshtin për këtë skandal.

Kemi zbuluar se maskat mbrojtëse dhe mjetet e tjera spitalore janë blerë nga qeveria me 2, 3 dhe 4fishin e çmimit të tregut. Se një maskë qeveria e ka blerë me 8 mijë lekë të vjetra tek Farmanet dhe Euromed, ndërsa qytetarët mund ta blejnë me 4 mijë lekë në çdo farmaci. Ogerta Manastirliu hesht, bashkë me Edi Ramën. Për turpin e tij, Edi Rama e mbylli gojën e tij te shthurur, dhe kur emisioni Boom zbuloi se maskat që përdoren në spitalin Infektiv nga stafi spitalor janë të skaduara dhe se ato i siguroi e njëjta kompani që fitoi tenderin sekret.

Të gjithë bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, megjithëse miliona nga paratë e shqiptarëve po vidhen ditën për diell, duke vënë në rrezik jetën e mjekëve dhe infermierëve. Sot ne do të tregojmë dokumenta zyrtarë që provojnë se qeveria ka vjedhur edhe me tenderin e respiratorëve. Kjo është aparatura që mban në jetë me oksigjen personat në gjendje të rënduar nga sulmi i virusit në mushkëri. Gati një muaj pas shpërthimit të epidemisë, qeveria porositi më 3 prill, 54 copë respiratorë, një fakt që tregon sesa e papërgatitur ishte për situatën. Kushti kryesor i tenderit ishte koha e shpejtë e sjelljes së respiratorëve. Kompania fituese duhet të sillte 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe të tjerat më vonë. Por kjo nuk ndodhi. Kontrata u shkel në mënyrë flagrante.

Dokumentat qe ne kemi siguruar tregojnë se kompania TBS 96 ka sjellë vetëm 5 respiratorë nga 54. Megjithatë qeveria nuk e ka prishur kontratën me të, siç e detyrin ligjinnë raste të tillla. Ka vetëm një arsye që mund të çojë një zyrtar të mos zbatojë ligjin dhe ky është rryshfeti, korrupsioni, vjedhja. Shifrat e kontratës e faktojnë këtë. Një respirator është blerë nga qeveria me gati dyfishin e çmimit të tregut.  Një respirator është zhdoganuar me 7.7milionë lekë dhe është blerë nga qeveria me 14 milionë lekë, pra me çmim gati 2 herë më të lartë. Janë këto çmime stratosferike dhe abuzive arsyeja pse Edi Rama i mban këta tendera sekret, duke paguar qindra milionë lekë më shumë klientët e tij në kohën më të vështirë për qytetarët. Vetëm kompanisë TBS 96, që ka shkelur kontratën për respiratorët, qeveria e Edi Ramës i ka paguar nga paratë e shqiptarëve 11 milionë euro në 6 vjet.

Me siguri Edi Rama do të heshtë edhe sot në përpjekje për t’u fshehur nga skandali që i ka plasur në dorë me kontratat e tij sekrete. Por faktet janë aty. Ai bleu respiratirë me dyfishin e çmimit, bleu testimet me 4 fishin e çmimit, bleu maskat dhe mjetet e tjera mbrojtëse me 2-3fishin e çmimit të tregut dhe u dha mjekëve të infektivit maska të skaduara. Qytetarët nuk po vuajnë vetëm nga virusi, por edhe nga një qeveri e korruptuar dhe një kryeministër i dështuar. Prokuroria duhet të dalë nga karantina, ku e mban qeveria. SPAK ka mjaftueshëm fakte të çojë para drejtësisë hajdutët e qeverisë që bëjnë që pasurohen si të babëzitur, kur shëndeti dhe puna e qytetarëve janë në rrezik.