AKTUALITET, 29 Qershor 2020, 11:54

Akuzohet se nxorri në pritë Billën, lihet në burg Adjola Lakra: Nuk kam marrë para nga askush, me Malin u ndava para se të njihesha me Lanin

Akuzohet se nxorri në pritë Billën, lihet në burg Adjola


Adjola Lakra, e dashura e Hekuran Billlës, e cila akuzohet se nxorri në pritë 40-vjeçarin është lënë në burg nga Gjykata.

Vendimi është marrë gjatë seancës së mbajtur ditën e sotme, ku 26-vjeçarja u shfaq duke rregulluar flokët. Gjyqtari Llazer Sallaku, pasi ka dëgjuar prokurorët dhe avokatin e Lakrës ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për 26-vjeçaren.

Vetë Lakra, përpara trupit gjykues, ka mohuar akuzat duke u shprehur se nuk ka marrë para nga askush për të nxjerrë në pritë Billën, ashtu sikurse akuzohet.

Ajo ka pranuar se ka pasur njohje me Sebastian Malin (në burg si bashkëpunëtor), nipin e Viktor Markut, që dyshohet se ka ekzekutuar Billën, duke shtuar se e gjitha ka ndodhur rastësisht.

Lakra rrëfeu se më parë ka pasur lidhje intime me Malin, pasi jetonte në të njëjtin pallat ku nëna e këtij të fundit, kishte parukerinë, dhe konsumonin bashkë kafenë.

Kështu, nga takimet e përditshme, lidhja mes tyre ishte bërë më e afërt. Por më pas, Lakra ka treguar se është ndarë nga Mali dhe pas disa kohësh i ka bërë ftesë Billës në Instagram, për tu njohur me të.

“Unë kam qenë e lidhur me Sebastian Malin pasi jetoja në të njëjtin pallat ku e ëma e tij kishte parkukerinë. Pinim kafe çdo ditë bashkë dhe kështu nisi lidhja jonë. Më pas jemi ndarë dhe unë jam njohur me Billën.

I kam bërë ftesë në Instagram dhe kemi folur. Jemi lidhur dhe kemi vazhduar me takimet. Takoheshim gjithmonë në të njëjtin vend, pasi Billa nuk lëvizte shumë.

Nuk jam paguar nga askush për ta nxjerrë Billën në pritë,”– mësohet të jetë shprehur Lakra.

Këtë dëshmi, e ka pohuar më pas edhe vetë avokati i të pandehurës. Andi Duraj, në një prononcim për mediat, pas seancës gjyqësore deklaroi se asgjë nga ato që janë bërë publike në media, në lidhje me dëshminë e Lakrës, nuk janë të vërteta.

Duraj shtoi se ka qenë një fatkeqësi fakti që Adjola Lakra, ka pasur njohje me vīktimën Hekuran Billa dhe me një nga autorët, por që ajo nuk ka qenë në dijeni të planit të vrasjes.

“Prokuroria nuk ka formuluar akoma akuzë. U siguroj dhe u garantoj se asnjë çast prej vajzës nuk kanë dalë ato fjalë që keni bërë publike. Ajo ngeli sot e arrestuar nga helmimi që i është bërë nga opinioni publik. I vetmi moment është fatkeqësia që përpara se të njihte vīktimën ka njihur një nga autorët e dyshuar.

Të vetmet prova janë vetëm deklarimet e saj të sakta dhe të sinqerta. Nuk ka qenë dijeni të vrāsjes.

Nuk ka telefonuar ajo ditën e vrasjes por e kanë telefonuar. Nuk është paguar nga Viktor Marku, nuk është paguar dhe nuk ka marrë para,”– ka deklaruar avokati.

Adjola Lakra u vu në pranga pak ditë më parë, pas zbardhjes së tabulatëve telefonike, nga ku u zbulua se 26-vjeçarja kishte qenë personi i fundit me të cilën ka folur Billa para ekzekutimit.

Pas arrestimit u raportua se Lakra, kishte pranuar para grupit hetimor se gjithçka e kishte bërë për para dhe se kishte qenë ajo që e kishte nxjerrë në pritë Billën.

Gjithashtu u raportua se Lakra kishte pasur lidhje njëkohësisht me Malin, dhe se kishte qenë pikërisht ky i fundit, ai që e kishte shtyrë vajzën të njihej me Billën dhe t’i raportonte çdo lëvizje të 40-vjeçarit.

Por, të gjitha këto, 26-vjeçarja i hodhi poshtë para trupit gjykues, bashkë me avokatin e saj.