TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Raporti për zjarret në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore për vitin 2024 tregon se sezoni i zjarreve i vitit të kaluar përfundoi me një total prej 383 mijë e 317 hektarësh sipërfaqe të djegur. Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se sezoni tradicional i zjarreve, pra nga fillimi i qershorit deri në mesin e shtatorit, vazhdon të zgjerohet me flakë masive dhe të rrezikshme. Në total janë raportuar 8 mijë e 343 zjarre nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile së Bashkimit Evropian (UCPM).
Bullgaria, Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja ishin ndër vendet e Bashkimit Evropian më të prekura, me një sipërfaqe të djegur prej 334 mijë e 940 hektarës. Ndër vendet jo anëtare të unionit, por pjesë të UCPM-së, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Ukraina ishin ato që pësuan humbjet më të rënda
Sa i përket Shqipërisë, sipas raportit evropian, sezoni i zjarreve për vitin 2024 ishte më ekstremi i gjashtë viteve të fundit. U regjistruan 49 mijë e 189 hektarë të djegura nga 453 zjarre, kryesisht gjatë korrikut dhe gushtit. Viti 2024 shënoi gjithashtu zjarre që sollën dëme të mëdha në Ballkan, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të BE-së. Shërbimi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) bën të ditur se sezonet e zjarreve në kontinent po zgjasin më shumë se zakonisht, njësoj siç janë shtuar valët e të nxehtit, të cilat krijojnë kushte ideale për shpërthimin e flakëve të mëdha e të pakontrollueshme
Të dhënat e mbledhura deri më tani për sezonin e zjarreve 2025 tregojnë se trendi është në rritje. Që nga janari i këtij viti, EFFIS ka regjistruar 7 mijë e 200 zjarre në 37 vende që janë pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së
Aktualisht, të dhënat deri më 25 nëntor 2025 tregojnë se mbi 1 milion hektarë janë djegur në BE, duke rritur nevojën për forcimin e kapaciteteve zjarrfikëse. Për këtë arsye është dyfishuar numri i avionëve dhe helikopterëve zjarrfikës në flotën ajrore të unionit evropian, rescEU.