AKTUALITET, 3 Shkurt 2024, 08:43

Zjarr në një apartament në Korçë, asfiksohet 64-vjeçarja. Evakuohen banorët e pallatit

Zjarr në një apartament në Korçë, asfiksohet

Përfshihet nga flakët një apartament në katin e parë të një pallati në unazën e qytetit të Korçës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të zonës të quajtur “Ura e Fajancës”.

Mësohet se brenda në banesë ka qenë një grua, e sëmurë, dhe është nxjerrë menjëherë jashtë. Policia thotë se 64 vjeçarja është asfiksuar nga tymi dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Nuk dihen rrethanat e zjarrit, zjarrfikësja ende në vendngjarje për të shuar flakët. Edhe policia me forca të shtuara bëri të mundur largimin e të gjithë njerëzve që ndodheshin brenda pallatit ku ra zjarri.

Njoftimi i policisë:

Më datë 03.02.2024, rreth orës 07:30, në lagjen nr.8, Korçë, ka rënë zjarr në banesën e shtetases R. E., rreth 64 vjeçe, e cila u asfiksua nga tymi dhe u dërgua në spital ku po merr ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë që po evakuojnë banorët e tjerë të pallatit, si dhe shërbimet e zjarrfikëseve, të cilat po bëjnë shuarjen e zjarrit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.