AKTUALITET, 16 Maj 2024, 09:18

Zgjidhet kreu i ri i Dhomës së Avokatisë në Korçë, kush e zëvendëson Arben Lenën

Zgjidhet kreu i ri i Dhomës së Avokatisë në
Nevzat Tarelli

Pas dorëheqjes se Arben Lenës nga posti i Kryetarit të Dhomës së Avokatisë Korçë, ardhur nga hetimi i SPAK si i dyshuar që tentoi të korruptonte gjyqtarët.

Ditën e djeshme janë zhvilluar zgjedhjet në Dhomën e Avokatisë Korçë, pas udhëzimit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Në garë kanë qenë 4 avokatë të kësaj dhome avokatie për pozicionin e kryetarit.

Nga ky proces i realizuar ditën e djeshme, ka fituar avokati i njohur penalist Nevzat Tarelli, i cili do të jetë kryetar i kësaj strukture për pjesën e mbetur të mandatit të lënë nga Arben Lena.

Tarelli është një nder avokatët më te njohur në Qarkun e Korçës, i cili prej vitesh punon në ketë profesion. Marrjen e funksionit të ri e ka konfirmuar vetë avokat Tarelli.

Kujtojmë që Lena aktualisht është me arrest shtëpie.

Ai dyshohet se së bashku me disa funksionarë publikë tentuan të korruptonin gjyqtarët e Apelit të Korçës për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Bledar Kozici. Lena u arrestua të shtunën (27 Janar 2024) me urdhër të SPAK pas një hetimi disamujor.

Në hetim, përveç kreut të Dhomës së Avokatisë së Korçës janë edhe disa funksionarë publikë, ndaj të cilëve masa e sigurisë u caktua në 25 Dhjetor 2023.

Sipas SPAK, të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” duke marrë një shumë prej 5000 eurosh për të ndikuar në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Bledar Kozici, i cili hetohej per veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal.

Ndërsa Dritan Tabaku, dyshohet se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit”.

“Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasit Dajana Kodra, Nikoll Hafesllari, Nikoll Jesku, Bledar Kozici dhe Artiana Kozici në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në formën e kërkimit të përfitimit të parregullt të një shume prej 5000 (pesë mijë) eurosh me qëllim ushtrimin e ndikimit në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit të shtetasit Bledar Kozici, i cili hetohej për veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal”, njoftoi SPAK.