AKTUALITET, 9 Shkurt 2024, 15:12

“Zgjedhorja”, Paloka tregon ‘skenarin’: Propozimet e qeverisë do të vijnë nga Basha e do të shihen si të pranuara nga opozita

“Zgjedhorja”, Paloka tregon ‘skenarin’: Propozimet e

Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka deklaroi se djegia e Rregullores së Kuvendit, ishte një akt simbolik, pasi në të vërtetë mazhoranca qeverisëse i ka “vënë zjarrin” Kushtetutës dhe Rregullores. Ai shtoi se opozita tashmë nuk e ka mekanizmin e vetëm kontrollues ndaj mazhorancës, që ishin komisionet.

“I kanë djegur me kohë Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Ai i imi ishte akt simbolik. Opozitës i janë hequr të drejtat për të kontrolluar qeverinë. Komisionet janë mënyra konrete që opozita ka në dorë për të kontrolluar mazhorancën”, tha ai. Paloka foli edhe në lidhje me komisionet hetimore.

“Është lënë në dorë të mazhorancës të vendosë për ngritjen e komisioneve hetimore, që më parë e kishte pakica. Rama e ka thënë me arrogancë se nuk do të lejojë krijimin e tyre. Komisionet janë eliminuar. Vendimet e Kushtetueses kanë shkuar në favor të qeverisë. Një tjetër e vërtetë që e deklaroi kryetarja e Kushtetueses është se edhe vendimet që nuk i kanë konvenuar nuk i ka zbatuar, siç është vendimi për mandatin e Olta Xhaçkës”, tha ai.

Paloka tha se opozita kurrë nuk është dëgjuar në Parlament, edhe nëse nuk do të ishte një situatë e tillë e tensionuar.