AKTUALITET, 6 Maj 2026, 14:48

Zbardhen 12 raste vjedhjesh në Tiranë, arrestohet i riu me precedent penal

Zbardhen 12 raste vjedhjesh në Tiranë, arrestohet i riu me precedent

Finalizohet operacioni i koduar “Kioskat” dhe zbardhen 12 raste të vjedhjes në këto subjekte në kryeqytet. Policia ka identifikuar dhe kapur autorin e rasteve, i dënuar më parë për vjedhje dhe për krime në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas denoncimeve të qytetarëve, për vjedhje gjatë periudhës prill – maj 2026, në kioskat që administronin në zona të ndryshme në territorin në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr. 3, u finalizua operacioni i koduar “Kioskat”.

Në kuadër të operacionit u identifikua, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 23 vjeç, autor i dyshuar i 12 rasteve të vjedhjes në këto subjekte, si dhe i vjedhjes së 1 biçiklete.

Vijon hetimi për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.