AKTUALITET, 14 Shtator 2022, 14:00

Vrasja e Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan, dëshmon në GJKKO një prej të akuzuarve: Ja ku isha ditën kur ndodhi krimi

Vrasja e Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan, dëshmon në GJKKO
Nezir dhe Gentian Beqiri

Klajdi Dokoli, i cili është arrestuar nën akuzën se ka bashkëpunuar në vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqiri 10 vite më parë në Elbasan ka deklaruar se nuk ka pasur njohje me Gentianin.

Në dëshmin e tij Dokoli është shprehur se në atë kohë nuk ishte në shtëpi, pasi ishte aksidentuar me motor.

“Në atë kohë isha në shtëpi, isha aksidentuar me motor. Lajmin për vrasjen e tij e kam marrë vesh nga televizori. Nuk e kam njohur Gentian Beqirin”, mësohet të ketë thënë i pandehuri.

Në kohën kur ka ndodhur vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit, Dokoli  banonte në të njëjtën lagje me dy viktimat. Ai dyshohet se është përdorur për të vëzhguar me imtësi personat që hynin e dilnin, dhe më pas informonte anëtarë të familjes Çapja.

Gjatë marrjes në pyetje dy vite me pare, Policia i ka kërkuar Dokolit nëse ka njohje me disa prej anëtarëve të familjes Çapja, por ai është shprehur se nuk njeh asnjë person.

Si u vranë babë e bir nën sytë e Policisë

Në 15 gusht 2012, dyshohet se Elvis Bardhi dhe Etien Cani, të paguar nga anëtarë të fisit Çapja, kanë shkuar në banesën e Beqirit, në katin e pestë të një pallati.

Sipas dosjes së Prokurorisë thuhet se rreth orës 08:40, nga banesa ka dalë nëna dhe bashkëjetuesja e Gentian Beqirit, Behije Arapi, për të bërë pazar dhe në këtë moment ka konstatuar se dy punonjësit e Policisë në detyrë, që ruanin Gentian, nuk ndodheshin në vendin e detyruar për të kryer shërbimin, që ishte kati i pestë përpara apartamentit të Gentian Beqirit, ku prindërit e tij kishin vendosur dy karrige.

Si ka dalë nga pallati, Behije Arapi ka konstatuar përpara hyrjes së pallatit punonjësit e Policisë, ku Neshat Budani ishte në këmbë përpara pallatit, ndërsa Sami Derstila ndodhej në makinën e tij dhe po hante mëngjes. Dy policët kanë komunikuar më nënën e viktimës, e cila është larguar për të bërë pazarin.

Në këtë moment, Neshat Budani ka shkuar në makinën e tij për të bërë mjekimin me insulinë dhe si ka kryer mjekimin ka qëndruar rreth 15 minuta i shtrirë në automjetin e tij, ndërkohë që Sami Derstila vazhdonte të qëndronte brenda në automjetin e tij, duke ngrënë mëngjesin.

Pikërisht në këtë moment, Etien Cani dhe Elvis Bardhi kanë shfrytëzuar neglizhencën e dy policëve që ruanin Gentjanin dhe kanë ngjitur shkallët e pallatit. Në banesë ndodheshin Gentjan Beqiri që flinte dhe babai i tij Neziri. Autorët kanë trokitur në derë dhe ajo është hapur nga Neziri.

I moshuari është rrahur barbarisht, duke pësuar infarkt në zemër dhe ka vdekur në korridor. Ndërsa Beqiri është qëlluar me 4 plumba në kokë dhe trup, teksa flinte.