AKTUALITET, 1 Dhjetor 2022, 09:11

Vrasja e Briken Sanaj/ Autori planifikoi çdo gjë brenda lokalit në Lezhë, fshehu armën pranë vilës

Vrasja e Briken Sanaj/ Autori planifikoi çdo gjë brenda lokalit
Briken Sanaj dhe Vladimir Kola

Organizimi i vrasjes së Briken Sanajt ka ndodhur në një lokal në Lezhë. Kështu bën të ditur 'Ora News' e cila ka zbuluar detaje nga vrasja e cila ndodhi më 30 tetor në zonën e "Kodrës së Diellit" në Tiranë.

Autori i dyshuar i ngjarjes, Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, dyshohet se është takuar me bashkëpunëtorët e tij në lokalin në Lezhë. Ai është siguruar që të mos pikaset nga kamerat e sigurisë ku ka fikur DVR e kamerave të sigurisë.

Sipas burimeve, një person i afërm i Kolës ka vizituar disa herë vilën në zonën e "Kodrës së Diellit", ku qëndronte Briken Sanaj. Besohet se dy persona nga Peja, i siguruan autorit makinën për vrasjen. Më pas autori i dyshuar ka shkuar për të studiuar terrenin duke përdorur taksi dhe mjet X5 gjatë këtyre udhëtimeve para vrasjes.

Ai ka arritur të fshehë pranë vilës, në zgavrën e një peme edhe armën e krimit që do ta përdorte më pas për ekzekutimin. Besohet se ndjekja e viktimës është kryer nga dy persona që lëviznin me mjetin tip "Audi" me targa spanjolle, të cilët u vunë pas viktimës që në Lezhë. Mjeti me targa spanjolle i përket pikërisht një anëtari të familjes Kola.

Sipas policisë, Antoni i ka shitur automjetin Krasniqit më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, të dy e kanë futur makinën në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion Kolës, i cili e ka përdorur për realizimin e vrasjes së Sanajt. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë - Durrës, së bashku me armën e krimit. Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit.

Briken (Skerdilajd) Sanaj u qëllua më 30 tetor. Fillimisht është raportuar se 39-vjeçarit i është marrë jeta si hakmarrje për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i tij, Antonio alias Renato Sanaj, e gjitha pas një sherri të nisur për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme. Për të shmangur atë që ndodhi, vëllezërit Sanaj kishin ikur nga Shqipëria dhe kishin nisur një jetë tjetër në Itali, por duket se nuk i kanë ikur dot hasmit.