AKTUALITET, 6 Qershor 2024, 22:01

“Vijnë këtu dhe spiropalizohen”, Sejamini debaton me Bushatin: Rama po fton shqiptarë të suksesshëm nga jashtë, pse nuk e bën PD-ja?

“Vijnë këtu dhe spiropalizohen”, Sejamini debaton me

Analistët Neritan Sejamini dhe Andi Bushati debatuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV për figurat e reja që i mungojnë opozitës, por që po i fton kryeministri. Sejamini tha se Rama po fton shqiptarët e suksesshëm që të bëhen pjesë e listës së deputetëve të PS-së, për të rishpikur veten, ndërsa Bushati i kundërshtoi se ata që vijnë do të bëhen si Spiropali dhe nuk vjen askush këtu sepse përballë do të kenë eksponentët e krimit si Ndoka apo Rraja.

Pjesë nga debati

Neritan Sejamini: Zoti Rama është duke u përpjekur që të kontaktojë shqiptarë të suksesshëm nga e gjithë bota dhe do t’i ftojë që të bëhen pjesë e listës së vet.

Ylli Rakipi: Këto që nxjerr Fevziu?

Neritan Sejamini: Jo ka dhënë urdhër që kush njeh shqiptarë të suksesshëm në Itali, Gjermani etj, t’i ftojë të vijnë.

Andi Bushati: Asnjë nuk i vjen.

Neritan Sejamini: Jo i kanë ardhur. I ka ardhur një këshilltar, një drejtor i përgjithshëm.

Andi Bushati: Asnjë nuk vjen. Vetëm Gent Cakaj i ka ardhur në këto 10 vjet. Ça janë këto legjenda!

Neritan Sejamini: Drejtoresha e përgjithshme e Inovacionit ka qenë drejtoreshë te Cisco. La Amerikën, la punën dhe ka ardhur drejtoreshë këtu. Një këshilltar që ka marrë tani Rama ka qenë një shqiptar i suksesshëm duke punuar në botë. Do të vijnë të tjerë dhe mos u habit.

Andi Bushati: Dhe spiropalizohen të gjithë. Nuk ka njeri me individualitet që vjen të bëhet si Ulsiu.

Neritan Sejamini: Më lër ta mbroj se ti po paragjykon. Pyetja ime është (i drejtohet Flamur Nokës) Pse nuk i kërkoni ju që të vijnë te ju, por zoti Rama kërkon prapë për të përmirësuar, për të bërë një makiazh të ri për t’u rishpikur nga e para.  Pse opozita nuk po i sjell këta njerëz? Është shumë i rëndësishëm imazhi. Si frymëzohen njerëzit? Njerëzit që dalin atje duhet të frymëzojnë. Pamja, dëgjimi. Duhet të sillni edhe disa njerëz që na tërheqin. Të mos e banalizoj, duhet të sillni edhe njerëz të pashëm, edhe që flasin ndryshe.

Flamur Noka: Edi Rama është në përpjekje për makiazh ne jemi në kushte të tjera. Ne, sa të caktojmë drejtuesit e qarqeve do të ftojmë personalitet të tjera. Por kjo është një nga shtyllat.

Ylli Rakipi: Nuk e keni fare këtë shtyllë... 

Andi Bushati: Nuk vjen njeri nga jashtë të ndeshet me Ndokat, me Rrajat. Të vij unë nga jashtë, të lë gjithë jetën time atje dhe të më fusë ai Ndoka pistoletën në prapanicë...