AKTUALITET, 10 Dhjetor 2024, 12:11

"Venecia" për mandatin e Xhaçkës, reagon Bardhi: Konfirmoi se mazhoranca bëri puç kushtetues! Beteja e opozitës ishte e drejtë

"Venecia" për mandatin e Xhaçkës, reagon Bardhi:

Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të opinionit të Venecias lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës.

Komisioni i Venecias, sipas Bardhit, ka konfirmuar se qëndrimi i mazhorancës përbën një shkelje kushtetuese, duke mbështetur qëndrimin e opozitës se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kushtëzohet nga votimi i shumicës parlamentare.

Ky opinion, vijon më tej ai, thekson rëndësinë e respektimit të shtetit ligjor dhe zbardh mashtrimet e Kryetares së Kuvendit lidhur me këtë çështje. Ky është një mesazh i fortë ndërkombëtar kundër praktikave që minojnë institucionet kushtetuese.

'Përshëndes me mirënjohje Komisionin e Venecias për opinionin profesional që konfirmon edhe njëherë që qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor.

Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.

Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë.', shkruan Bardhi në Facebook.