AKTUALITET, 1 Nëntor 2024, 21:44

Vëmendja e partive të pensionistët? Beqiraj: Janë bazë e rëndësishme e elektoratit socialist! Dy arsye pse kjo kategori po kalon një situatë të vështirë

Vëmendja e partive të pensionistët? Beqiraj: Janë bazë

Ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj thotë se pensionistët po kalojnë një situatë të vështirë për dy arsye. E para sepse pensionet e tyre kanë 12 vite që nuk rriten dhe e dyta janë ulur të ardhurat për ta nga remitancat.

E ftuar në emisionin “Log” në News24, Beqiraj tha se pensionistët janë votues aktiv dhe janë një bazë e rëndësishme e elektoratit socialist.

Sipas saj, mënyra sesi flasin partitë politike për pensionistët është populiste.

“Unë mendoj se pensionistët po jetojnë një situatë më të  vështirë sesa e kanë pasur vite më parë. E para sepse pensionet e tyre kanë 12 vite që nuk rriten, ato indeksohen por nuk rriten dhe e dyta e ardhura e bazë e dytë që ata kanë janë remitancat, të cilat janë në euro dhe zhvlerësimi i euros ka ulur të ardhurën e dytë bazë.

Pensionistët janë votues aktiv dhe janë një bazë e rëndësishme e elektoratit socialist.

Mënyra si flasin partitë për pensionistët është populiste. Por ajo që mua më shqetëson është që edhe pse partia në pushtet i ka disa mjete për të bërë ndryshime, narativa e saj është larg këtyre mjeteve”, tha Beqiraj.