AKTUALITET, 12 Nëntor 2023, 12:47

Vdekja e sulmuesit të Egnatias, mjeku Mel Ostreni: Mjekët në Europë e ndaluan që të luante, ai e dinte çfarë e priste

Vdekja e sulmuesit të Egnatias, mjeku Mel Ostreni: Mjekët në
Mel Ostreni

Doktori i Shkencave në fushën e Sportit, Mel Ostreni, ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e djeshme ku lojtari i klubit të Egnatias, Raphael Dwamena, humbi jetën gjatë kohës që po luante ndeshje.

Në një lidhje me Skype për Syri Tv, Ostreni thotë se 28-vjeçari ganez ishte koshient për ç'ka e priste dhe sërish vendosi të luante. Ai thotë se vende të Europes nuk e lejuan ta pranonin të luante për shkak të rrezikut që i kanosej, dhe i ndjeri vendosi të zhvendosej në Shqipëri duke parë që strukturat mjekësore nuk kishin kontrolle të rrepta.

“Unë pashë që ambulanca iu afrua menjëherë. Janë këto ambulancat e reja që kanë të gjitha pajisjet brenda dhe natyrisht janë dhe me personelin por në përgjithësi nuk është se shpëtojnë të gjithë edhe kur jepet ndihma e parë. Ky djalë fatkeq kishte edhe një gjë tjetër që sipas sinjalizimeve që më kanë bërë kishte hequr dhe defibrilatorin, pra atë që rregullonte ritmin e zemrës. E kishte hequr disa kohë më parë sepse e pengonte në lojë dhe në stërvitje. Praktikisht unë do të them që ai vetë me duart e veta ka bërë një hap drejt vdekjes, vetë.

Pa dalë autopsia e të ndjerit nuk mund të thuhet asgjë sepse të gjitha këto që themi mund të na përmbyten dhe mbase mund të ketë edhe ndonjë çarje të aortës dhe nganjëherë ndodh dhe në sport, kur kemi anomali gjenitale, të trashëguara. Këta vijnë nga Afrika, një kontinent që është i varfër, dihet për mungesat e ushqimeve që ka, dihet edhe për analfabetizmin, injorancën dhe pa kulturë shëndetësore. Kështu që praktikisht janë një mori gjërash që duhen parë dhe vërtetuar.

Vetë futbollisti ka zgjedhur Shqipërinë si më pak të kontrolluar nga strukturat mjekësore, kjo është ajo që më bën përshtypje.

Ai ka luajtur në Zvicër, në Austri, ka shkuar deri në Angli pastaj është kthyer në Spanjë tregon që edhe atje fillimisht e kanë lejuar. Faji është i të gjithëve, por në fund fare faji është i sportistit, sepse është paralajmëruar nga mjekët në Angli, në Spanjë, në Austri që nuk duhet të luajë. Kjo është zgjedhje individuale e tij, por rregullat mjekësore nuk duhet ta kishin lënë të vazhdonte sportin. Megjithatë ai mund të kthehej në Afrikë të luante dhe do t'i ndodhte e njëjta gjë. E kishte të pashmangshme këtë ndodhi në qoftë se ai do vazhdonte të luante futboll kudo që të ishte.”