AKTUALITET, 24 Shtator 2024, 21:10

"Vatikani islamik"/ Shteti i Urdhrit Bektashi? Berisha: Rama 'thikë pas shpine' kombit e kushtetutës për të mbuluar skandalet

"Vatikani islamik"/ Shteti i Urdhrit Bektashi? Berisha: Rama

Kryetari i Partisë Demokratike e quan ‘thikë pas shpine’ ndaj kombit shqiptar idenë e krijimit të një shteti sovran të urdhrit të bektashinjve.

Gjatë fjalës së tij mbrëmjen e sotme nga dritarja e apartamentit të tij, Berisha e quan më tej ‘thikë pas shpine ndaj Kushtetutës dhe besimtarëve shqiptarë”

Berisha prej 30 dhjetorit 2023 ndodhet në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ pasi është marrë i pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Berisha thotë se Rama ka hedhur idenë për të mbuluar skandalet e veta.

"Për të mbuluar denoncimet e mëdha në Europë dhe në botë si kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në kontinent.  Për të mbuluar serialin e dështimeve të njëpasnjëshme. 

Për të gjitha këto, ai shpalosi këto ditë propozimin e një shteti të Islamit të moderuar, kryekëput një thikë e tmerrshme pas shpine për besimtarët myslimanë shqiptarë, për të gjithë besimtarët e Zotit.
Një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit shqiptar.
Një thikë e madhe pas shpine ndaj Kushtetutës dhe rendit të saj.

Të dashur miq, nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot, ka pasur një parim, një shtyllë kryesore mbi të cilën është ndërtuar: feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëri-tjetri.

Fetë e shqiptarëve janë ushqimi shpirtëror i tyre.

Janë frymëzimi hyjnor dhe shpirtëror i tyre që nuk është e vërtetë që i ka ndarë, por me harmoninë që kanë treguar me njëri-tjetrin, janë bërë shembull i ndritshëm në të gjithë botën.
Por historia nuk është vetëm kjo.

Një barbar, një mizor lau në gjak krerët e besimeve fetare të Shqipërisë. Ndër to, në mënyrën më të egër dhe udhëheqësit shpirtërorë të bektashizmit shqiptar.Ky ishte Enver Hoxha, i cili nuk pranonte që në këtë tokë të kishte një Zot përveç atij, që në fakt ishte satani i shqiptarëve", deklaroi Berisha.