AKTUALITET, 6 Nëntor 2024, 20:31

Udhëtonin me 2 kg kokainë në makinë, 2 shqiptarët tentojnë arratinë duke çarë postbllokun e karabinierëve! Arrestohen pas ndjekjes

Udhëtonin me 2 kg kokainë në makinë, 2 shqiptarët

Dy të rinj shqiptarë janë arrestuar në Monte San Savino të Italisë, për akuzën trafik droge.

Ata u kapën nga policia me gati 2 kilogramë kokainë dhe tentuan një arratisje të rrezikshme teksa panë patrullat që i diktuan.

Të ndaluarit janë të moshës 24 dhe 25 vjeç, që dyshohet se janë të përfshirë në tregun e shpërndarjes në zonën e Valdichiana (Arezzo). Operacionu u krye gjatë fundjavës, por u njoftua vetëm dje në mediat e vendit fqinj.

Makina që vinte nga veriu i Italisë, me dy të rinjtë në bord, hyri në kabinën e pagesës së autostradës Monte San Savino. Karabinierët ishin pranë saj për një shërbim kontrolli të zonës, kur e detyruan shoferin të ndalonte.

Por drejtuesi bëri të kundërtën, duke rritur shpejtësinë dhe tentuar arratisjen, që zgjati disa kilometra, duke qenë se makina me dy shqiptarët në bord, në afërsi të qytetit Badicorte, mori një rrugë dytësore që ishte pa dalje.

Dyshimet e efektivëve u konfirmuan pas kontrollit të mjetit. Brenda një çante shpine të zezë, të vendosur para këmbëve të pasagjerit, kishte dy mbështjellës celofani me dy blloqe droge brenda. Bëhej fjalë për kokainë me peshë totale 1.954 kg, e cila iu nënshtrua menjëherë sekuestrimit.

Një sasi e cila do të sillte mbi 100 mijë euro në treg nëse shitej me pakicë. Të dy shqiptarët janë izoluar në burgun e Arezzo.