TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako do të rikthehet në qeli. Bllako është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Aty është mbajtur seanca që ka vendosur që ish-deputeti të kthehet sërish në burg. Vendimi i Gjykatës së Posaçme erdhi pas kërkesës së SPAK e cila ankimoi më herët lirimin e tij nga qelia dhe lënien në “arrest shtëpie”.
Në fillim të tetorit, gjashtë muaj pas arrestimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre me aferën e inceneratorëve, Gjykata e Posaçme vendosi ta dërgonte në arrest shtëpie ish-deputetin Alqi Bllako. SPAK tha se “nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar” dhe e ankimoi vendimin.
Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ai akuzohet se falsifikoi dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave. Mbi këtë tokë do të ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, sipas SPAK, u bë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Po ashtu i përfshirë ishte dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi. Ish-deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” të inceneratorit të Tiranës. Alqi Bllako u vetëdorëzua në polici më 1 prill të vitit 2022.
Në dëshminë që ka dhënë më herët në SPAK, Bllako deklaroi se nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës në Ministrinë e Mjedisit. Ai shtoi se thjesht ka përcjellë shkresën te Këshilli i Ministrave. Për inceneratorin e Fierit, pas hekurave është edhe ish-ministri i mjedisit Lefter Koka. Edhe ky i fundit kërkon zbutjen e masës së sigurisë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.