AKTUALITET, 9 Nëntor 2022, 09:20

SPAK kërkon rikthimin në burg, Alqi Bllako shkon në GJKKO

SPAK kërkon rikthimin në burg, Alqi Bllako shkon në GJKKO
Alqi Bllako dhe avokati Sokol Hazizaj

Ish-deputeti Alqi Bllako, i cili para një muaji u lirua nga qelia ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-deputeti është paraqitur më “Apel” për masë sigurie, pasi SPAK ka apeluar masë dhe kërkon rikthimin e tij në burg.

Bllako është në “arrest shtëpie”, nga 6 tetori pasi gjykata pranoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës në arrest shtëpie.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka pranoi një muaj më parë kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në “arrest shtëpie” për ish deputetin socialist të arrestuar për aferën e incineratorëve.

Si ish-zyrtar qe përfaqësonte nivelin më të lartë të  nëpunësit civil në Ministrinë e Mjedisit, Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi SPAK këmbëngul se ai jo vetëm u implikua gjatë procedurave për inceneratorin e Fierit, por dhe firmosi shkresa që tjetërsuan truallin në të cilin do ndërtohej inceneratiori.

Gjithashtu i ati u punësua si drejtor i këtij kantieri që SPAK e konsideron një formë korrupsioni të sofistikuar. 

Gjatë seancës së fundit gjyqësore të mbajtur në maj 2022, ai këmbënguli  për pafajësi, mos kompetencë për të firmosur shkresa dhe se nuk kishte asnjë mundësi ndikimi për vendimmarrjen për inceneratorin,  pasi në atë kohë Bllako tha se ka qenë i punësuar në Presidencë.

Ish-deputeti Bllako është vendosur edhe nën hetim pasuror ashtu sikurse ish-eprori i tij Lefter Koka, që pret në paraburgim mbylljen e hetimeve, megjithëse ka dorëzuar disa shkresa për të lënë qelinë.