AKTUALITET, 12 Mars 2024, 14:14

Tritan Shehu sqaron debatin me Bledion Nallbatin: Ja çfarë ndodhi

Tritan Shehu sqaron debatin me Bledion Nallbatin: Ja çfarë ndodhi

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka folur për mediat pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit të PD, ku siç u raportua ai pati edhe një përplasje me kolegun Bledion Nallbati.

I pyetur për gazetarët në lidhje me këtë debat, Shehu me ironi tha:“Nuk kanë funksionuar mirë çimkat”.

Ndërsa sa i takon vazhdimit të aksionit opozitar, Shehu  u shpreh se ky aksion duhet të përqendrohet te ajo që ai e quan si ngjarjen më të rëndë, burgosjen e Sali Berishës. Ndërsa format e aksionit, tha Shehu, duhet të diskutohen.

Ai theksoi se marrja e dy komisioneve nuk është sukses.

“Unë kam thënë këtë gjë, që edhe nëse jepen komisionet, nuk janë suksese, sepse situata është përkeqësuar me burgosjen politike të Berishës. Pastroj forma e aksionit është një gjë që diskutohet. Por mos mendojmë që ne nëse marrim dy komisione arrijmë suksesin. Në suksesin nuk e kemi me PS apo Edi Ramën, suksesin e kemi me përkrahjen e elektoratit tonë”, tha Shehu.

Pse lindi debati me Nallbatin?

Shehu: Çimkat nuk kanë punuar mirë. Unë thashë mendimet e mia. Duhet të koncentrojmë aksionin tonë në atë që është  ngjarje me e rëndë ndaj opozitës, që është izolimi i kryetarit të partisë dhe ky aksion duhet bërë i tillë, brenda parlamentit, jashtë parlamentit, në çdo tribunë. Format janë për tu diskutuar së bashku.

Pra ju jeni që të mos ndërpritet kaosi?

Shehu: Unë thashë që duhet të koncentrojmë betejën politik te izolimi dhe burgosja e kryetarit të Partisë. Ne  nuk duhet të fshihemi pas gishtit.  Kjo është kauza jonë. Si do ta realizojmë këtë beteje politike? Është e larmishme, nuk është vetëm në parlament, nuk është vetëm në Strasburg, nuk është vetëm në Bruksel, por është në Tiranë, Shkodër dhe kudo.