TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

SPAK pritet të komunikojë sot zyrtarisht akuzën për "shpërdorim të detyrës" për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ta marrë të pandehur.
Sipas SPAK, Fatmir Mediu ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes, në vitet 2007-2008 duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë i plagosën. Ky është përfundimi që ka arritur pas hetimit disa mujor.
Gjykata e Lartë, përmes një vendimi në dhjetor 2021 rrëzoi rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar dhe lejoi SPAK të niste punën. Më parë kishte qenë Apeli i GJKKO, i cili më 24 shtator 2021 mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 14 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu është rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.
Nga ana tjetër SPAK dërgoi në korrik 2021 një letër-porosi në SHBA, ku kërkohej marrja në pyetje e Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Kalifornia. Diveroli, është ndër personazhet kryesore që i paraprijnë tragjedinë e Gërdecit, që përfitoi një kontratë të majme furnizimi armësh nga Pentagoni.
Më 15 mars 2008, rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese.