AKTUALITET, 10 Janar 2023, 13:31

"Ajo mund të thotë se i kam gjetur në rrugë"/ Avokat Spartak Ngjela mbron 120 mijë eurot e padeklaruara të zyrtares: Alda Klosi është e justifikuar

"Ajo mund të thotë se i kam gjetur në rrugë"/
Fotomontazh: Spartak Ngjela dhe Alda Klosi

Avokati Spartak Ngjela duke komentuar misterin e burimit të parave që iu grabitën ish-shefes së Kabinetit të ish-ministrit Arben Ahmetaj, tha se deri më tani Alda Klosi është e justifikuar, pasi ajo nuk ka kryer vepër penale duke mos deklaruar paratë.

Avokati, duke folur për emisionin “Breaking”, për ngjarjen e bujshme të zbuluar në vend, ku nënë e bir Rozeta dhe Havier Dobi akuzohen se kanë kryer një sërë vjedhjesh, në lidhje me pyetjen nëse kjo çështje mund të shkojë në SPAK, tha se vetëm nëse është krim i organizuar, atëherë mund të shkojë tek Prokuroria e Posaçme.

“Ajo është e justifikuar. Nuk ka vepër penale, është vepër administrative. Ajo mund të thotë se lekët i kam gjetur në rrugë. Ligji e thotë qartë, kur i gjen është e jotja. Kur i del pronari është problem.

Ajo ka thënë që po mblidhja lekë për xhaxhain. Ajo mund të nxjerrë 10 dëshmitarë, që të thonë i dhashë unë 5000 mijë, i dhashë unë 10 mijë. SPAK merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Nëse ky është krim i organizuar atëherë çështja do shkojë në SPAK, përndryshe jo", deklaroi Ngjela.