AKTUALITET, 27 Dhjetor 2022, 10:45

Tentuan të kalonin kufirin me 28 500 euro të padeklaruara, nis procedimi për dy të rinjtë nga Gjilani

Tentuan të kalonin kufirin me 28 500 euro të padeklaruara, nis

Sekuestrohen mbi 28 mijë euro në Morinë, dy persona po futeshin në Shqipëri me shuma të mëdha parash të padeklaruara

Policia kufitare në Morinë ka sekuestruar 28 500 euro, nga dy persona që po futeshin në Shqipëri me shuma monetare të padeklaruara me vete.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin D. R. dhe pasagjer shtetasin D. Sh.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur shtetasit D. R., 12 400 euro, ndërsa shtetasit D. Sh. i kanë gjetur 16 100 euro, të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 28 500 euro”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. R., 24 vjeç dhe D. Sh., 20 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.