AKTUALITET, 19 Korrik 2024, 14:01

Televizioni publik gjerman: Spitalet në Shqipëri në gjendje skandaloze, mjekët po ikin se nuk shohin të ardhme

Televizioni publik gjerman: Spitalet në Shqipëri në gjendje

Media gjermane ARD ka udhëtuar drejtë Shqipërisë për të parë nga afër realitetin e studentëve të mjekësisë dhe mjekëve që rinj, që çdo ditë e më shumë synojnë largimin nga vendi. Me anë të një reportazhi ARD, thekson se destinacioni kryesor i tyre është Gjermania. Ndërkohë që theksohet se mjekët e rinj nuk shohin asnjë të ardhme në Shqipëri.

Një studente e mjekësisë Dea Guri e pyetur nga mediumi gjerman, ka deklaruar se perspektiva nuk premton shumë.

“Të rinjtë nuk paguhen mirë. Paga minimale shkon 700 deri në 800 euro. Përveç kësaj mungojnë pajisjet diagnostikuese dhe investimet në spitale dhe qendrat shëndetësore. Një mjek i ri është përballë shumë sfidave. Kushtet në spitale janë skandaloze. Çdo njeri që mbetet në Shqipëri duhet të luftojë shumë. Askush nuk e lë Shqipërinë me dëshirë. Askush nuk do të shkojë në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër,” thotë ajo.

Sipas ARD, gjithmonë e më pak mjekë po ngelen në Shqipëri. Sipas OECD, në BE ka mesatarisht 5 mjekë për 1 mijë banorë, ndërkohë që Shqipëria ka 1.9 mjekë për 1 mijë banorë.  

ARD ka ndjekur dhe rastin e një mjeku të ri, Malbor Duka, i cili braktisi Shqipërinë për të shkuar në Gjermani. Sipas ARD, ai nuk e ka ndërgjegjen e pastër, pasi e di se me largimin e tij, në Shqipëri do ketë një mjek më pak.

“Zgjedhja ime e parë është Shqipëria, nëse do të ishin kushtet, nuk do e lija vendin, sepse i përkas këtij vendi. Por jam në një pikë të jetës sime që duhet të marrë një vendim për të ardhmen time”, thotë ai, teksa largohet nga Rinasi në drejtim të Gjermanisë.