TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.
Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet. Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe insistimit të vazhdueshëm të SHBA-ve, shkruan A2. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me këtë tender.
Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkoi shtyrjen e garës, pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon. Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit, për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.
Ndërkohë, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, mbajtur ditën e hënë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te projekti i portit të ri në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një ndër projektet më komplekse që po zhvillohen aktualisht.
Kërkesa e Dhomës Amerikane të Tregtisë
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.
Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkurruese në rajon.
Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, vendimi i planifikuar për 9 mars për tenderin e Porto Romanos përfaqëson një moment strategjik që mund të përcaktojë pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekada.
Van Cleeve argumenton se projekti aktual i portit është shumë i vogël, me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe portuale prej 38 hektarësh, kapacitete që nuk mund të konkurrojnë me portet e mëdha rajonale.
Ai paralajmëron se në këto kushte Korridori 8 mund të dështojë të zhvillohet si bosht i rëndësishëm logjistik lindje-perëndim, ndërsa flukset e mallrave do të vazhdojnë të përqendrohen në portet e Pireu dhe Selanik.
Sipas tij, një zhvillim strategjik i Porto Romanos duhet të synojë një port me ujëra të thella deri në 18 metra, me kapacitet mbi 2 milion TEU për kontejnerë, zona të mëdha logjistike dhe zona të lira tregtare, si dhe terminale për transport RoRo dhe energji, përfshirë edhe LNG nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim, ai kërkon që tenderi i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit 8 dhe NATO-s. Sipas tij, projekti mund të zhvillohet brenda këtij viti me financim të përbashkët nga partnerë nga SHBA dhe Italia, si dhe me përfshirjen e kompanive inxhinierike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.
Zgjidhja e Propozuar
1.Kërkojmë me respekt që tenderi i Porto Romanos i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet në bazë të kërkesave më të fundit të NATO-s dhe Korridorit 8.
2.Mund të lehtësojmë zhvillimin EPC+F të një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.
3.Mund të ofrojmë firmat më të mira inxhinierike amerikane për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, hekurudhave, autostradave dhe të gjithë infrastrukturës dual-use të Korridorit 8, të ndërtuara sipas standardeve të NATO-s, në koordinim të plotë me NATO-n dhe për të siguruar financim shtesë nga NATO”, thuhet në reagimin e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve.
Deklarata e Ramës
Më 9 mars kryeministri Edi Rama para deputetëve të PS gjatë qëndrimit publik, ka theksuar se duhet të jepte një qëndrim për tenderin e Porto Romanos, për të cilin tha se plani i tij ka ngjallur xhelozi. Në qëndrimin e tij, i cili linte vend për interpretime, Rama ka thënë se: “ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet”.
“Duhet të them këtu dy fjalë për Porto Romanon, është një nga proceset më të ndërlikuar, ndoshta më i ndërlikuar që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos të asaj portuale e Royal Haskoning nga Hollanda.
Një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por e monitoruar nga A-ja te Zh-ja nga konsulenti Royal Haskoning përsëri dhe armiqësi ndaj projektit. Nuk do flas më shumë, por një gjë dua ta them këtu: Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet.
Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Europian, për çdo gjë tjetër jam te C-ja” u shpreh kryeministri.