AKTUALITET, 27 Maj 2026, 16:55

Skema e pensioneve/ Katërmujori, rritje me 153.5% në një dekadë. Faktorët që kanë ndikuar

Skema e pensioneve/ Katërmujori, rritje me 153.5% në një

Të punësuarit në vend kanë derdhur afro 66.8 miliardë lekë, ose rreth 670 milionë euro, në arkën e shtetit si kontribute për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Viti 2026 ka nisur mbarë për buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe për skemën e pensioneve, pasi të ardhurat nga ky zë janë realizuar në masën 102.8% të planit për katërmujorin e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, për periudhën janar-prill 2026, janë arkëtuar afro 7.4 miliardë lekë, ose 74 milionë euro, më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. E shprehur në përqindje, rritja e të ardhurave regjistrohet në 12.5%.

Nga ana tjetër, kjo shifër përbën rekord në dekadën e fundit, duke u rritur me 153% krahasuar me vitin 2016, kur të ardhurat nga kontributet ishin në nivelin e 26.4 miliardë lekëve.

Vetëm gjatë muajit prill 2026 janë mbledhur 18.4 miliardë lekë, ose 2.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Faktorët që kanë ndikuar në këtë performancë janë disa. Së pari, rritja e pagave në sektorin publik, e ndjekur edhe nga sektori privat, ka bërë që paga mesatare në vend të rritet ndjeshëm, duke arritur në nivelin e afro 1 mijë eurove në muaj dhe, si rrjedhojë, edhe pagesat e punonjësve për sigurime.

Së dyti, reforma kundër informalitetit, e fokusuar kryesisht te nëndeklarimi i pagave, ka sjellë rritje të deklarimeve dhe, për pasojë, të të ardhurave nga kontributet. Po ashtu, vendosja e pagave referencë gjatë këtij viti në sektorë si turizmi, ndërtimi dhe mjekësia ka sjellë një efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e kontributeve dhe forcimin e skemës.

Nga ana tjetër, rritja e pagës minimale në shkallë vendi në 50 mijë lekë, që nga muaji janar, ka ndikuar gjithashtu në këtë drejtim.

Një tjetër faktor lidhet me rritjen e numrit të bizneseve të hapura në Shqipëri gjatë vitit 2024, si edhe me mirëadministrimin nga ana e administratës tatimore, që duket se po kompenson deri diku mungesën e fuqisë punëtore në vend.

Pagesa minimale për kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për individ është rreth 13.950 lekë në muaj.