AKTUALITET, 17 Janar 2022, 12:25

Presidenti turk viziton Shqipërinë/ Rama rrëfen takimin e parë me Erdogan: Isha i ndrojtur...

Presidenti turk viziton Shqipërinë/ Rama rrëfen takimin e

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, po viziton Shqipërinë. 

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama, ka rrëfyer takimin e parë me Erdogan, që në atë kohë ishte kryeministër i Turqisë.

Në fjalën e tij në Laç, Rama u shpreh se nuk ka për ta harruar kurrë atë episod. 

"Unë, dëshiroj që ti të jesh vëllai im, por unë do të të them vëlla, atëherë kur ti si kryeministër të meritosh respektin e popullit tënd", kjo ishte ajo që Erdogan i tha Ramës në takimin e tyre të parë. 

“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e veçantë dhe unë do të flas sa më shkurt, pasi sot të gjithë duan të dëgjojnë mikun e madh të Shqipërisë dhe kam nderin ta them mikun tim të çmuar presidentin Erdogan.

Sot dua të tregoj një episod që nuk kam për ta harruar kurrë nga takimi me Presidentin që në atë kohë ishte kryeministër i Turqisë.

Unë isha i ndrojtur sepse unë e njihja nga televizori dhe nga televizori nuk duket dhe aq i buzëqeshur. Edhe me thënë të drejtën kur u takum më shikonte, por nuk buzëqeshte.

Unë akoma nuk isha bërë kryeministër dhe më thotë: Dëgjo këtu: Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time.

Shqiptaret janë në zemrën e popullit turk. Unë, dëshiroj që ti të jesh vëllai im, por unë do të të them vëlla, atëherë kur ti si kryeministër të meritosh respektin e popullit tënd”, tha  Rama.