AKTUALITET, 30 Nëntor 2025, 15:00

Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit, familjarët, kolegët dhe qindra qytetarë i japin lamtumirën

Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit,

Ceremonia përkujtimore në nder të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi është përmbyllur mes emocioneve të forta dhe duartrokitjeve të gjata nga të gjithë të pranishmit.

Salla e Pallatit të Kulturës në Tetovë, e mbushur deri në vendin e fundit me familjarë, miq, kolegë, figura publike dhe qytetarë, u ngrit në këmbë në shenjë respekti për artistin që la gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

Në mbyllje të ceremonisë, ndërsa arkëmorti i Shpatit ishte i vendosur në skenë i mbuluar me flamurin kombëtar, u dhanë fjalët e fundit para nisjes drejt varrezave: “Zoti e shpërbleftë me parajsë, dalëngadalë, po nisim rrugën për tek varrezat”.

Atmosfera në sallë ishte e rënduar nga dhimbja, por e mbushur edhe me mirënjohje për jetën dhe veprën e artistit.

Duartrokitjet e pranishmeve zgjatën për minutë të tëra, ndërsa shumë prej tyre nuk i përmbajtën lotët.

Pas ceremonisë përkujtimore në Pallatin e Kulturës në Tetovë, këngëtari i ndjerë Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit, i shoqëruar nga një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish.

Qytetarë, familjarë, miq, kolegë të skenës dhe admirues të muzikës së tij u bashkuan në kortezhin mortor, duke ecur në heshtje dhe me lot në sy pas arkëmortit të mbuluar me flamurin kombëtar.

Rrugët e Tetovës u mbushën me njerëz që kishin dalë për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit 40-vjeçar, i cili u nda papritur nga jeta.

Atmosfera ishte e rënduar, ndërsa shumë prej të pranishmëve mbanin fotografi të Shpatit ose vendosnin lule mbi arkëmort.

Në varrezat e qytetit, ku u bë edhe ceremonia e varrimit, u dëgjuan lutje dhe fjalë ngushëllimi, ndërsa dhjetëra persona vazhduan të derdhnin lot për humbjen e papritur të këngëtarit.

Shpati u varros mes një dhimbjeje të madhe kolektive, duke lënë pas kujtime që do të mbeten gjatë si te familjarët dhe të afërmit, ashtu edhe tek publiku që e ka dashur për vite me radhë.