AKTUALITET, 29 Maj 2023, 13:40

“Shikoni faturat nga Covid-i, do të vini duart në kokë”, Braçe: Autoriteti të hetojë për shërbimet spitalore private

“Shikoni faturat nga Covid-i, do të vini duart në

Në Komisionin e Ekonomisë është raportuar puna vjetore e Autoritetit të Konkurrencës. Deputeti i PS-së Erion Braçe tha në Komisionin e Ekonomisë se nuk ka konkurrencë për naftën, kur ka vetëm një shitës e një blerës. Po kështu ai kërkoi që të ketë hetime për këtë çështje si dhe për tregun e shërbimeve spitalore private. Sipas tij, për sa kohë është një treg sensitiv, duhet monitorim dhe hetim.

“E dini që tani ka një broker që blen naftën në bursë dhe e sjell në Shqipëri? Lihet në depozita pa çmim dhe çmimi del ditën kur del malli. A e kuptoni se s’ka konkurrencë kur ka një shitës? Një blerës dhe një shitës.

Si mund të ketë konkurrencë kur çmimi është ai që sjell brokeri, dhe kjo s’ju ka rënë në sy fare? Hetoni e hetoni dhe këtë skemë nuk e cënon askush? A e kuptoni që kemi konkurrencë nga depozitë deri te pompa. Konkurrenca është kufizuar me 20% të tregut. E rëndësishme është ndjekja e tregjeve dhe atyre që blejnë.

Të fitosh aq shumë para e të vendosësh atë gjobën te tregu i drithit, nuk është e rëndë. E fundit, sugjerimi që kam është për një treg të rritur jashtë mase, tregu i shërbimeve spitalore private. Është përqendruar përtej çdo limiti.

Aq sa konkurrenca atje nuk ekziston më.

Do ishte shumë e rëndësishme sa kohë që ka të bëjë me shëndetin, edhe ata që paguajnë atje hallexhinj janë. Njoh unë plot që i drejtohen privatit, dhe pse janë thjesht bujq. Sa kohë që është treg kaq sensitiv, meriton monitorim dhe hetim. Shkoni e shihni faturat nga Covid-i, e do vini duart në kokë”, tha Braçe.